75 Mall Live Search
15:34 / E Hënë, 08 Qershor 2026 / Z S

Mashtrim me SMS në emër të bankave, arrestohen dy persona në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësitin e Krimeve Kibernetike, ka realizuar një aksion në tri lokacione të ndryshme, ku janë ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale të mashtrimit.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar një veturë, disa telefona mobilë, SIM-kartela dhe fletëpagesa bankare. Autoritetet kanë identifikuar edhe dy persona të tjerë të përfshirë në rast, të cilët aktualisht ndodhen në arrati.

Sipas hetimeve fillestare, të dyshuarit që nga dhjetori i vitit 2025 dyshohet se kanë dërguar mesazhe SMS në emër të bankave komerciale, duke i njoftuar qytetarët për kinse aktivitete të dyshimta në llogaritë e tyre bankare. Mesazhet përmbanin linqe të rreme, përmes të cilave viktimat futnin të dhënat e tyre bankare, çka u mundësonte të dyshuarve të tërhiqnin para nga llogaritë e tyre.

Sipas Prokurorisë, vetëm në rajonin e Prishtinës janë identifikuar rreth 150 persona të dëmtuar, ndërsa dëmi financiar i shkaktuar arrin në rreth 50 mijë euro. Autoritetet presin që numri i viktimave dhe vlera e dëmit të rritet, pasi pritet paraqitja e rasteve edhe nga rajone të tjera të vendit./Indeksonline/