Kishte vrarë gruan duke e përplasur për asfalti, qytetarët të revoltuar me dënimin që i dha gjykata Ilir Haxhiajt

Është dënuar me 15 vite në burg Ilir Haxhiaj nga komuna e Suharekës, për dhunën brutale e cila kishte çuar deri në vdekje bashkëshorten e tij, Hatije Dina, raporton IndeksOnline.
E për këtë gjykim që iu dha me datën 3 shkurt, nga Gjykata Themelore e Prizrenit, kanë reaguar shoqëria civile, të cilët po konsiderojnë se ky vendim nuk është meritor.
“Të revoltuara ne kërkojmë drejtësi për gratë dhe për mbrojtjen e secilës jetë në mënyrë të barabartë dhe të dinjitetshme”, tha njëra nga organizatorët e kësaj proteste para Gjykatës së Prizrenit.
Gratë që morën pjesë në këtë protest thanë se ato vazhdojnë të dënohen e përdhunohen, por se nuk do të heshtin dhe do të kundërshtojnë derisa drejtësia për gratë të arrihet dhe kërkuan dënim meritor për Haxhiajn.
Ilir Haxhiaj akuzohej nga Prokuroria e Prizrenit për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, derisa edhe raportet mjekësore kanë konstatuar se e ndjera ka vdekur nga po të njëjtat lëndime.
Hatije Dina kishte vdekur më 15 qershor të 2019-së, pas një trajtimi dyjavor në QKUK.
Në aktakuzën e ngritur gjatë 2019-ës thuhej se Haxhiaj ka qenë në veturë vetëm me bashkëshorten e tij H.D., dhe se pas mosmarrëveshjeve që kishin pasur, ai e kishte goditur disa herë për asfalti të ndjerën.