“Çështja e luanit Gjoni”, Nitaj tregon se ku do të transferohet

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit në detyrë, Muharrem Nitaj, ka njoftuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, se ministria që ai drejton i ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm proceduralë e ligjorë për lirimin dhe transferimin e luanit “Gjoni”.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Nitaj ka bërë me dije se kanë kërkuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë që të mundësojnë transferimin e luanit “Gjoni”, përmes shtetit shqiptar, prej nga dhe është kontrabanduar në Kosovë ai, meqenëse Kosova nuk është nënshkruese e Konventës CITES për qarkullim ndërkufitar të llojeve të kafshëve.
“Shpreh keqardhjen që një problem kaq i lehtë ka kërkuar kaq shumë kohë për t’i gjetur zgjidhje, kjo edhe për shkak të pengesave që ka shteti i Kosovës në raport me konventat e caktuara.
Njëkohësisht shpreh mirënjohjen time për fondacionin “Four Paws” që ka shprehur gatishmërinë që të marrë përsipër organizimin e transportit të luanit “Gjoni”, nga Kosova në një vend të tretë, në këtë rast në Holandë”, ka thënë Nitaj./