75 Mall Live Search
18:55 / E Martë, 09 Shkurt 2021 / Blerim

Vaj kanabisi edhe për të trajtuar Covid-19,përshpejton shërimin, ulë inflamacionin

Në Austri, trajtimi i pacientëve Covid-19 me vaj kanabisi po jep rezultate premtuese. Studiuesit në Klinikën Klagenfurt të Austrisë konstatuan reduktim të inflamacionit dhe shërim në një kohë më të shkurtër tek pacientët që u trajtuan me të. Kanabidioli ose vaji CBD u përdor si pjesë e trajtimit për pacientët Covid-19 në repartin e kujdesit intensiv të spitalit gjatë tre javëve.

Fillimisht, pacientëve iu dhanë doza 200 miligramë, ndërsa më pas dozës iu shtuan edhe 100 të tjera. Rudolf Likar, shefi i kujdesit intensiv në klinikë, thotë se te pacientët u vu re rënie e parametrave të inflamacionit në gjak dhe përshpejtim i procesit të shërimit.

“CBD ndihmon sistemin imunitar”, tha ai.

Sipas tij, ka gjasa që kanabidioli në vajin CBD të bllokojë receptorin ACE2 përmes të cilit virusi SARS-CoV-2 fiton akses në qelizat njerëzore dhe fillon të vetë-replikohet, duke sjellë pasoja të rënda për shëndetin e njeriut.  Efektet anti-inflamatore të vajit CBD thuhet se tejkalojnë ato të ilaçeve të tjera të përdorura gjerësisht, sepse kanabidioli neutralizon dëmtimet neurologjike të shoqëruara me të ashtuquajturin “Covid i gjatë”.

Një studim i efekteve anti-inflamatore të vajit CBD po kryhet në Klinikën Klagenfurt dhe rezultatet deri më tani duken premtuese.

“Të dhënat duken relativisht mirë. Ne ndoshta do ta përdorim në mënyrë rutinore tani sepse nuk ka ndonjë efekt anësor”,- tha Likar, duke shtuar se kërkime të ngjashme mbi efikasitetin e vajit CBD në trajtimin e COVID-19 po zhvillohen edhe në Izrael.