75 Mall Live Search
13:05 / E Mërkurë, 10 Shkurt 2021 / AR

14 vjet nga protesta e përgjakshme e 10 shkurtit, detaje se si Salih Zyba ia shpëtoi jetën Albin Kurtit


14 vjet më parë, Lëvizja Vetëvendosje, që aso kohe nuk funksiononte si parti politike, kishte organizuar një nga protestat më të mëdha që nga paslufta.

Kjo për të kundërshtuar negociatat e Kosovës me Serbinë, kundër Pakos së Ahtisarit. Më 10 shkurt të vitit 2007 në këtë protestë u vranë Mon Balaj dhe Arben Xheladini, të dytë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Çdo gjë eskaloi kur protestuesit tentuan ta thyenin kordonin e policisë.

Ishte policia rumune e UNMIK-ut që kishte reaguar në mënyrën më të dhunshme duke përdorur edhe armë vdekjeprurëse, si plumba gome.

SuharekaOnline ka siguruar një shkrim të 13 shkurtit 2007 të botuar në gazetën “Epoka e re” në të cilin bëhen të ditura detajet se si Salih Zyba i kishte shpëtuar jetën Albin Kurtit.

Sipas shkrimit thuhet se KMLDNJ-ja aso kohe kishte raportuar se si një polic ndërkombëtar kishte tentuar ta vriste Albin Kurtin, por për fat të mirë kishte ndërhyrë Salih Zyba, duke ia larguar armën.

Asokohe Kurti kishte deklaruar në KMLDNJ se një polic ndërkombëtar ia kishte mbështetur armën në brinjë dhe para se ta shkrepte kishte intervenuar Salih Zyba.

Në të njëjtin shkrim koordinatori i gazetës, Muhamet Mavraj, kishte shkruar se vetëm fati ka bërë që të dështonte plani terrorist për të vrarë Vetëvendosjen, pasi që liderët e Vetëvendosjes janë marrë në shënjstër për t’u vrarë, të cilët janë qëlluar në fytyrë me precizitet të lartë, por për fat nga largësia.