Policia u gjen armë në veturë, pranga kosovarit dhe dy femrave nga Tirana

Policia kufitare e Shqipërisë ka goditur një rast të tentativës për të hyrë në territorin shqiptar me armë zjarri me vete nga pjesa e Kosovës.
Pasi është sekuestruar një armë zjarri, pistoletë dhe fishekë luftarakë, policia ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit ku u gjet arma e zjarrit dhe 2 pasagjeret që udhëtonin në mjetin e tij.
“Shërbimet e Policisë kufitare në Morin, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje”, thuhet në njoftimin e Policisë së shtetit.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë kufitare të Morinit, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, mjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin F. G. dhe pasagjere shtetaset D. F. dhe M. Q.
Gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë, në kroskotin e këtij mjeti, Policia kufitare gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Girsan” dhe 17 fishekë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për hetimin e trafikut të paligjshëm dhe narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: F.G., 34 vjeç, banues në Kosovë, D.F., 36 vjeçe dhe M.Q., 40 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor – Kukës, për veprime të mëtejshme./IndeksOnline/
