Pse s’ka vaksina për Kosovën, së paku rrihni kambanat dhe lutuni për ne si në kohën e Skënderbeut!

Shkruan: Skënder Berisha
Shtetet e QUINT-it, që kujdesen për sundimin e ligjit, respektimin e normave ndërkombëtare, qeverisjen e mirë te ne dhe detyrat e tjera, apo mrekullia e qeverisjes në Republikën e Kosovës, ende nuk kanë publikuar ndonjë opinion apo qëndrim rreth furnizimit me vaksina antiCovid për Republikën e Kosovës.
As që pritet. Sikur po i lihet hapësirë e re Serbisë të luajë rrolin e shpëtimtarit, ashtu sikur për testet në fillim të shfaqjes së virusit. Nuk pritet të kenë qëndrim për vaksinat, sepse, shtetet nga vinë, ndonjë nga to kanë dyfishuar e trefishuar sasinë e porositur. Nuk e kanë lehtë, jo.
Çfarë mund të bëjë Republika e Kosovës që të furnizohet me vaksina. Perëndimi ka rregulla, ndërsa ndjenja për këtë gjendje nuk është prioritet. Kjo shihet nga aeroplani, por, ka edhe rrugë të tjera, mos qoftë ashtu por sikur po e testojnë durimin tonë, të përkulemi sërish para Serbisë, apo t’ua shtrijmë dorën Rusisë, Kinës, Turqisë, Arabisë apo edhe Indisë. Këtë, dihet, nuk e bëjmë edhe të gjithë po vdiqëm nga Covidi.
Besoj fort se shtetet e QUINT-it, e kanë hall të madh se si të furnizohemi ne me vaksina antiCovid. Jam i bindur fort se qeveritë e vendeve nga vijnë, nuk po i respektojnë qëndrimet e tyre, as kërkesat e shumta për një donacion apo shitje të sasisë së limituar për personelin shëndetësor të Republikës së Kosovës. E besoj.
Vërtet Kosova është shtet “sui generis”, por, kam frikën e qofsha i gabuar, edhe sjelljet e miqve tanë, shtetet e fuqishme që na ndihmuan të jemi shtet, në kohë pandemie, duken sikur janë “sui generis”. Madje, për fat të keq, makiatot tona ua kanë zverdhur standardet dhe tashmë janë përshtatur me mendësinë dhe mundësitë e shtetit tonë.
Vërtet, nuk mbetet gjë tjetër pos biznesmenët tanë të dalin në skenë. Të prishin matematikat dominuese të pandemisë dhe të paguajnë nën tavolinë, ashtu siç ditën të paguajnë kur e kishim më së vështiri për të kthyer rrethanat në favorin tonë.
Ashtu e ashtu, do të jemi sërish në teh si shtet me korrupsion të lartë, por së paku, personeli shëndetësor, duhet të ketë mbrojtje me prioritet. Ndryshe, lamtumirë humanizëm! Jeni të njëjtit e epokës skënderbejane. Bëni lutje dhe rrihni kambanat për ne në kohë pandemie. Mbase, as kjo nuk është pak!