75 Mall Live Search
12:50 / E Diele, 28 Shkurt 2021 / Blerim

Vjosa Osmani: Duke nderuar të rënët do ta dimë vlerën e lirisë që e gëzojmë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë bërë homazhe për të rënët në Likoshan e Qirez.

Postimi i plotë i Osmani:

Sot, bashkë me kryeministrin në ardhje, z.Albin Kurti dhe kryetarët e komunave të Drenasit e Skenderajt, z.Ramiz Lladrovci dhe z.Bekim Jashari, nderuam martirët e dëshmorët e Likoshanit e Qirezit, në 23 vjetorin e Masakrës dhe Betejës.

Çdoherë duhet t`i kujtojmë të rënët, sepse duke nderuar ata do ta dimë vlerën e lirisë që e gëzojmë dhe rrugën nëpër të cilën kemi kaluar për të arritur deri këtu. Ushtarët e UÇK-së që bënë luftën frontale me forcat serbe dhe civilët e ekzekutuar, torturturuar e masakruar më 28 shkurt të vitit 1998 janë dëshmi e veprimeve gjenocidale të Serbisë në Kosovë, ndaj këtë të vërtetë duhet ta themi dhe ta mbrojmë çdoherë dhe kudo.

Kjo kujtesë historike e sakrificës së popullit tonë duhet të jetë në funksion të ndërtimit të një të ardhme më të mirë për familjet e të rënëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët e dëshmorët që ranë për lirinë e vendit!