75 Mall Live Search
13:31 / E Enjte, 04 Mars 2021 / Blerim

Komuna e Prizrenit fillon me testet rapide dhe në QMF-të e disa fshatrave

Duke filluar nga 2 marsi 2021, Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prizrenit, përveç në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrën e Mjekësisë Familjare në Bajram Curr, testet e shpejta (rapide) për COVİD-19, ka filluar t’i realizojë edhe në QMF-të e fashtrave Gjonaj, Reçanë, Korishë, Zhur, si edhe në QMF 1 dhe QMF-të e lagjeve “Tusus” dhe “Kurilla” në Prizren, duke u bërë kështu Komuna e parë në Kosovë që kryen këto teste në QMF-të e fshatrave të saj.

Me këtë rast kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se ky vendim është marrë për shkak të rritjes së numrit të rasteve me Covid-19, me qëllim të uljes së intensitetit të punës në QKMF dhe QMF në Bajram Curr dhe po ashtu me qëllim të eliminimit të lëvizjeve të qytetarëve, eventualisht të prekur me COVID-19, gjë që e parandalon përhapjen e virusit.

Kujtojmë se përveç këtyre testeve, Komuna e Prizrenit është një nga komunat e para në Kosovë, që ka kompletuar pakon e shërbimeve për Covid-19, duke i realizuar edhe:

✅Testet e D-Dimer-it,

✅Rentgenin e mushkërive,

✅Analizat e tjera të nevojshme dhe

✅Testet serologjike, DSH-ja apelon te të gjithë qytetarët që të kujdesen për veten, familjen dhe miqtë e tyre, duke mbajtur maskën, distancën dhe pastërtinë.