Dy debutueset e Vjosa Osmanit, që u konfirmuan sot si deputete të ardhshme

Vjosa Osmani ka arritur të siguronte shtatë deputetë në listën e Vetëvendosjes. Bashkë me Vjosen, deputetë kanë arritur të bëhen edhe Donika Gërvalla, Faton Peci, Haxhi Avdyli, Burim Karameta, Jeta Statovci e Daorsa Kica-Xhelili.
Befasi e bukur për Vjosa Osmanin është suksesi i dy vajzave të reja në listën e saj, këshilltares në presidencë, Jeta Statovcit dhe avokates perspektive Daorsa Kica-Xhelili.
Dy kandidatet e reja që vijnë me nivel të lartë shkollimi kane qenë debutante në kandidaturat e tyre, por që kanë arritur sukses duke fituar “betejën” e parë në politikë.
“Erdhëm në fund të një procesi zgjedhor në Republikën tonë, ku populli i Kosovës, edhe njëherë, dha prova të qarta të pjekurisë politike, demokratike dhe të dashnisë së madhe për vendin duke dëshmuar se e njeh, e kupton dhe e vlerëson mekanizmin e rëndësinë e votës. Kosova, populli i Kosovës e në mënyrë të veçantë mërgata jonë në këto zgjedhje ka votuar, vlerësuar, gjykuar, ndëshkuar e shpërblyer në një mënyrë unike për Ballkanin perëndimor duke i dhënë demokracisë një karakter vibrantë dhe duke vendosur standarde të larta të llogaridhënies.
Të dashur qytetarë, miq, kolegë familjarë e aktivistë politik,
Jam e lumtur të ju njoftoj se në bazë të rezultateve përfundimtare të KQZ-së, unë jam besuar nga ju me votën tuaj për të qenë deputete në Legjislaturën e VIII të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Përulësisht ju falenderoj secilën e secilin që besuat tek unë në këtë rrugëtim timin të ri politik. Ka qenë e jashtëzakonshme përkrahja që kam marrë nga familja, kolegët e shoqëria ime. Ka qenë mbresëlënës dhe e paharrueshme vlerësimi maksimal që kam marrë gjatë fushatës nga qytetarët, sidomos nga të rinjët, për paraqitjet programore të koalicionit tonë që më janë besuar mua. Shtrirja horizontale e votës, cep më cep të territorit të Republikës, është një kënaqësi e madhe e dëshmi e një vote të dhënë me besim e vlerësim të pa ndikuar. Faleminderit nga zemra.
Falenderoj udhëheqësen e Listës, Presidenten e Republikës, gruan e pathyeshme e frymëzuese znj. Vjosa R. Osmani për përkrahjen që më ka dhënë.
Falenderoj kryeministrin, z. Albin Kurti, për përkrahje, korrektësi e bashkëpunim.
Falenderoj kolegët e Listës për bashkëpunim korrekt e të paparë deri më sot.
Falenderoj strukturat e Shtabin Zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje, partnerit tonë në Listën e përbashkët për korrektësinë e treguar e organizimin e jashtëzakonshëm të fushatës.
Jam dhe do të jem çdo ditë e orë përgjegjëse për arsyet e përkrahjes dhe fitores tonë. Do të bëjmë krejt çka është e mundur për të justifikuar këtë besim” shkruan Statovci në falëndërimin e saj për besimin e dhënë.
E lumtur dhe krenare për besimin e dhënë është shprehur edhe avokatja, Kica-Xhelili.
“Tashmë që u shpallën rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të datës 14 shkurt 2021, ju falënderoj 438.334 herë për mobilizimin tuaj të jashtëzakonshëm për dalje në votim pavarësisht motit aspak të favorshëm.
Pastaj, ju falënderoj 300.788 herë për mbështetjen e fuqishme të listës së zj. Osmani në kuadër të listës së Lëvizjes Vetëvendosje. Ky bashkëpunim ka konfirmuar se me partnerët që synojnë ndryshime pozitive në vend, uniteti i pamohueshëm ndal çdo zë dyshues.
Për fund, por jo me më pak rëndësi për mua, ju falënderoj 10.604 herë për besimin e dhënë përmes votës suaj për mua, pavarësisht faktit se isha fytyrë e re me shumë pak kohë për të dëshmuar qëllimet e mia të sinqerta.
Vullneti juaj ishte inspirues për mua edhe gjatë parafushatës dhe fushatës, edhe tani që shoh këtë vullnet të përkthyer në votë dhe mundësi që t’iu përfaqësoj në Kuvend të Republikës së Kosovës.
Ua kthefsha me krenari për zgjedhjen që keni bërë”, shkruan ajo në profilin e saj./Indeksonline/