75 Mall Live Search
14:22 / E Premte, 05 Mars 2021 / OSH

Lumezi: Përgjimet zbuluan përfshirjen e policëve në vepra penale

Kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi, në një konferencë shtypi ka dhënë detaje për aksionin e Prokurorisë Themelore, Inspektoratit Policor dhe Policisë së Kosovës ku u arrestuan 8 zyrtarë policorë, shkruan IndeksOnline.

Lumezi bëri të ditur se në mesin e të arrestuarve janë 2 pjesëtare të PK-së dhe një pjesëtar i komunitetit serb.

Ai tha se në bazë të informacioneve që kanë marrë nga përgjimet do të zgjerohen hetimet edhe për disa persona të tjerë.

Lumezi shtoi se sot janë bastisur disa lokacione ku janë sekuestruar 9 telefona mobilë, një veturë dhe disa dokumente e raporte zyrtare.

“Sot janë arrestuar 8 zyrtarë policorë, 2 femra dhe një pjesëtar i komunitetit serb. Edhe njëherë kemi vëretuar se puna e përbashkët ekipore ka dërguar porosi të qarta te të gjithë pjesëtarët e grupeve kriminale se herët a vonë të gjithë do të përballen me drejtësinë.

Ky rast është duke u hetuar gati qe një vit, ka kaluar një vit në bashkëpunim me Inspektoratin Policor dhe Policinë e Kosovës. Në bazë të informacioneve që kemi marrë nga përgjimet kemi ardhur në përfundim që duhet të zgjerohen hetimet edhe për disa persona me qëllim që të vërtetohet përgjegjësia e tyre penale për veprimet e tyre që i kanë ndërmarrë kundërligjshëm.

Këta 8 persona që sot janë arrestuar janë të dyshuar për disa vepra penale: “Keqpërdorim të autoritetit” që është e dënueshme nga 1-8 burg, “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substance narkotike”.

Kështu që sot me urdhër të gjyqartes së procedures paraprake janë bastisur disa lokacione të personave zyrtarë ku janë konfiskuar 9 telefona mobilë, një veturë dhe disa dokumente e raporte zyrtare”, tha ai./IndeksOnline/