75 Mall Live Search
07:28 / E Premte, 12 Mars 2021 / OSH

Mbi 10 mijë raste aktive me COVID-19 në Kosovë

Që nga 13 marsi i vitit 2020-të, kur edhe u paraqitën rastet e para pozitive me koronavirus, numri i të infektuarve me këtë virus në Kosovë ka shkuar në 75 mijë e 380.

Gjatë kësaj periudhe në Kosovë 1 mijë e 682 qytetarë nuk munden t’i mbijetojnë këtij virusi vdekjeprurës. COVID-19 të enjten i mori edhe jetën e një 16 vjeçari nga Komuna e Vitisë, të cilin rast e konfirmoi drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Nisret Hajrullahu.

Ndërkohë që në vend janë 10 mijë e 318 raste aktive me Covid-19.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.621 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 632 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 3 raste (86, 77, 57 vjeç), Prizren 3 raste (79, 74, 65 vjeç), Podujevë 1 rast (77 vjeç), Prishtinë 1 rast (88 vjeç). Numri total i rasteve pozitive është 75.380 raste nga 345.064 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.682 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 397 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 63.380 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.318”, thuhet në njoftimin e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).