Pandeli Majko pas publikimit të fotos së Vuçiçit: Sovraniteti i Kosovës garantohet nga NATO

Pandeli Mjako, Ministri i Diasporës në Qeverinë e Shqipërisë, ka reaguar pas publikimit të fotos së Republikës së Kosovës me flamur serb nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiç në rrjetin social “Instagram”, shkruan IndeksOnline.
Ai tha se Republika e Serbisë nënshkroi një deklaratë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë për të respektuar procesin e paqes rajonale dhe vlerësoi se diplomacia e fotove në instagram zhvlerëson seriozitetin e shtetit serb në mardhëniet ndërkombëtare.
“Me publikimin e fotos së Republikës së Kosovës me flamurin serb, Presidenti i Serbisë Vucic, tregon se i pëlqen papajtueshmëria. Ky është një problem i shtetit serb dhe i seriozitetit të zgjedhur në Beograd.
Republika e Serbisë nënshkroi një deklaratë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë për të respektuar procesin e paqes rajonale. Diplomacia e fotove në instagram zhvlerëson seriozitetin e shtetit serb në mardhëniet ndërkombëtare.
Sovraniteti i Republikës së Kosovë garantohet nga NATO dhe jo nga instagrami. Kjo është arsye e mjaftueshme që presidenti serb ti ofrojë shtetasve të vet, një të ardhme të cilën mund ta përballojnë. Roli i Gavrilo Principit në kohën e integrimit europian nuk mirëkuptohet. Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj! As në instagram!”, tha ai./IndeksOnline/