75 Mall Live Search
10:22 / E Premte, 19 Mars 2021 / k.v

Shefi i ri i CIA-s kishe qenë në Kosovë, ishte takuar me Thaçin

Senati i Shteteve të Bashkuara konfirmoi diplomatin veteran, William Burns, drejtor të CIA-s (Agjencisë Qendrore të Inteligjencës).

Burnsi, 64 vjeç, u mbështet me votim unanim.

Ai ka shërbyer më herët edhe në administratat të Partisë Demokratike, edhe të asaj Republikane.

Ai do të jetë diplomati i parë i karrierës që drejton CIA-n.

Në muajin shkurt, gjatë seancës dëgjimore në Komitetin e Senatit për Inteligjencë, Burnsi ka përshkruar katër prioritetet e tij dhe kjo: “Njerëzit, partneritetet, Kinën dhe teknologjinë”.

Ai e ka përshkruar Kinën si “një kundërshtare të frikshme” dhe “autoritare”, e cila, siç ka thënë, “po i forcon aftësitë e saj për të vjedhur pronën intelektuale, për të shtypur njerëzit e saj, për të zgjeruar shtrirjen dhe për të krijuar ndikim brenda Shteteve të Bashkuara”.

Në vitin 2012, Burnsi, atëbotë zëvendëssekretar i Departamentit amerikan të Shtetit, ka vizituar Kosovën ku ishte takuar me kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçi.

Në takim me udhëheqësit e atëhershëm kosovarë, Burnsi është zotuar se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen “për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, si edhe për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”.

Burnsi, po ashtu ka mbështetur idenë se dialogu është “i vetmi instrument për zgjidhjen e problemeve” midis Kosovës dhe Serbisë.