Abdixhiku prezanton anëtaren e re të kryesisë, Sibel Halimi: Është nder ta kemi në mesin tonë!

Gjatë ditës së djeshme, Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur kryesinë e re të partisë.
Mungesa e emrave të vjetër si Agim Veliu, Haki Rugova, Arban Abrashi e Ismet Beqiri ishte një nga befasitë, transmeton Indeksonline.
Por, pjesë të kryesisë pati edhe prurje të reja. Njëra nga prurjet më të reja në LDK është aktivistja e njohur, Sibel Halimi.
Kryetari i LDK-së përmes një postimi ka prezantuar Halimin duke thënë se është një nder që ta kemi në mesin tonë.
Postimi i plotë i Lumir Abdixhikut:
Sibel Halimin e njoh si aktiviste e veprimtare të dalluar për të drejtat e njeriut e në veçanti për të drejtat e grave. Me angazhimin e saj tash e mbi një dekadë, ajo ka arritur që çështjet me rëndësi për barazi e avancim të gruas kosovare t’i vë në fokus të debatit publik. E kam admiruar gjithnjë për përkushtimin e madh.Nga dje, ajo është anëtare e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Është nder ta kemi në mesin tonë.Sibeli është doktorante në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës me temën “Trupi si konstrukt shoqëror: Drejt sociologjisë së trupit në Kosovë”.
Si ligjeruese në Fakultetin Filozofik, ajo ishte edhe anëtare e bashkëudhëheqëse e Shoqatës së Filozofëve në Kosovë.Sibeli merret edhe me letërsi e publicistikë. Si sociologe ajo boton në vazhdimësi artikuj që trajtojnë problemet e shoqërisë kosovare dhe opsionet për tejkalimin e tyre. Deri tashti ka të botuar përmbledhjen eseistike “Shoqëri në Alarm” (2017) si dhe tre libra me poezi: “Kopshti i Mëkateve” (2002), “Qenia nuk banon këtu” (2013) dhe “Me ekzistu është vetë kuptimi” (2020).
Sibel, mirë se vjen!