Nënkryetarja e re e LDK-së: Koha më e mirë për mua dhe të tjerët është ta rikthejmë LDK-në në piedestal

Nënkryetarja e re e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se nëpërmjet përfaqësimit në këtë parti, ajo do të mundohet t’i shërbej popullit dhe shtetit të Kosovës.
“Dje, me propozimin e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Lumir Abdixhiku, dhe me mbështetjen e Këshillit të Përgjithshëm jam zgjedhur Nënkryetare e partisë. Koha në të cilën unë po i bashkohem LDK-së nuk është më e mira për të. Në zgjedhjet e fundit LDK morri përqindjen me të ulët të votave që nga themelimi i saj para 30 vjetësh. E kuptoj që shumë prej jush ndjeheni të zemëruar me këtë rezultat”, ka shkruar Mjekiqi në Facebook.
Ajo ka thënë nëpërmjet përfaqësimit në LDK, nën udhëheqjen e Lumirit, do të mundohet t’i shërbej popullit dhe shtetit të Kosovës
“Por, është koha më e mirë për mua dhe shumë të tjerë të kontribuojmë në rikthimin e LDK-së në piedestal, aty ku e ka vendin. Spektri politik në Kosovë është i mangët pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, për zhvillimin e së cilës punuan me shumë mund e sacrificë gjenerata të shumta nën udhëheqjen e Presidentit Ibrahim Rugova. Nëpërmjet përfaqësimit në LDK, nën udhëheqjen e Lumirit, unë do të mundohem t’i shërbej popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka shkruar Mjekiqi.