75 Mall Live Search
11:15 / E Enjte, 25 Mars 2021 / Blerim

Toverlani: Edhe një ekip me lojtarë nga Superliga do t’i rezistonte më shumë Kosovës, sesa Lituania mbrëmë

Kombëtarja e Kosovës në futboll mbrëmë zhvilloi ndeshjen e parë gjatë këtij viti (2021).

“Dardanët” arritën fitore të thellë 4 me 0 në miqësoren e zhvilluar në “Fadil Vokrri” ndaj Kombëtares së Lituanisë.

Në një prononcim për IndeksOnlinen, trajneri i njohur kosovar, Afrim Toverlani e cilësoi Lituaninë si një kombëtare tejet të dobët. Ai thotë se edhe ndonjë ekip me lojtarë nga Superliga do t’i bënte ballë kësaj Lituanie.

“Fitore që do të shërbejë për motiv në ndeshjet e radhës. Jam i bindur që një ekip me lojtarë nga Superliga kishte për t’i rezistuar më shumë se Lituania. Por me rëndësi është fitorja”, ka thënë Toverlani.

Kosova të dielën e pret në shtëpi Kombëtaren e fortë, Suedinë , ndeshje e vlefshme për kualifikim në kampionatin botëror “Katari 2022”.

Në këtë takim, Bernard Challandesi, do t’i ketë dy mungesa të mëdha në vijën e mbrojtjes. Bëhet fjalë për Amir Rrahmanin (i lënduar) dhe Ibrahim Dresheviqin (i suspenduar).

Për Toverlanin këto dy mungesa janë shumë të rënda për Kosovën.

“Mungesa e Rrahmanit është shumë e madhe dhe vështirë e konpensueshme në këtë moment. Ai është lojtari më stabil në qendër dhe nuk kemi të tillë për momentin. Ndeshja ndaj Suedisë do të jetë ndryshe dhe shumë më e vështirë. Nuk besoj se do të mund t’u bëjmë presion sikur lituanezëve dhe do të ketë shumë lojë fizike e duele. Janë të fortë dhe të disiplinuar”, vazhdoi për IndeksOnline trajneri kosovar.

Si e parashikon këtë ndeshje Afrim Toverlani?

“Personalisht kisha me qenë i kënaqur me një barazim, por futbollit nuk i dihet”, përfundoi ish-tekniku i shumë skuadrave në Superligën e Kosovës.

Kombëtarja e Kosovës të dielën nga ora 20:45 e pret në fushën e “Fadil Vokrrit” ekipin kombëtar të Zlatan Ibrahimoviqit, Suedinë./IndeksOnline/