Një muaj paraburgim për personin që bashkëjetoi me të miturën, nën 16 vjeç

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të
pandehurit S.RR. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale:”Bashkësia jashtë martesore” me personin nën moshën 16 vjeçe nga neni 240 paragrafi 1 të Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për krime të rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri, më 18.03.2021, në kohë të pa caktuar, në Prishtinë, përkatësisht në një banesë, si person madhor, bashkëjeton në një bashkësi jashtëmartesore me të dëmtuarën – të miturën I.SH., e moshës nën 16 vjeç, edhe pse i pandehuri e ka ditur se ajo është e moshës nën 16 vjeç, ka hyrë në bashkësi jashtëmartesore me të, duke kryer edhe marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe atij i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake shqyrtoi propozimin e mbrojtësit të të pandehurit që të caktohet masa e paraqitjes në stacionin policor, apo ndonjë masë tjetër, por konstatoi se masat e tjera janë të pamjaftueshme për parandalimin e të pandehurit për të mos përsëritur kryerjen e veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.