75 Mall Live Search
22:42 / E Enjte, 25 Mars 2021 / OSH

Krasniqi-Goodman: SHBA-ja dhe Kosova nuk kanë bërë asgjë që të triumfoj drejtësia në rastin tim

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka thënë se për të ishte e vështirë por njëkohësisht edhe çlirim pasi historinë e saj e ka ndarë publikisht edhe me të tjerët.

“Unë kam marrë shumë përkrahje, por kam marrë edhe kërcënime nga persona të panjohur. Kjo nuk është se këta mund të ma mbyllin gojën, unë prapë se prapë do të flas. Kërcënimet ishin të tilla ku më thoshin se ‘pse po flet për këtë’, ‘vetëm një populli të ligë i ndodh kjo’ apo ku ta di unë. Për mua ka qenë një çlirim që kam folur. Një barrë tjetër është se çdo ditë dëgjoj histori dhe raste tjera të dhunës, të gjitha janë të vështira t’i dëgjosh këto rrëfime për atë se çfarë ka ndodhur me grat dhe burrat në Kosovë”.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës në Rubikon ka theksuar se pas deklaratës së saj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë sa i përket rastit të saj.

“Ftesa më ka ardhur nga Ambasada e Kosovës në Washington DC, edhe pse kemi fol nuk është se kemi marrë diçka, jemi deklaruar ka ndodhur çfarë ka ndodhur, më është shuar, nuk është se është bërë diçka një punë e madhe pas deklaratës së Kongresit as në Kosovë dhe as në Amerikë. Prapë se prapë çdo gjë është e njëjtë, prapë se prapë Kosova nuk është në gjendje të ketë një të dënuar për krimet që janë bërë në Kosovë nga Serbia. Unë nuk pendohem se kam folur për historinë time, vetëm nëse e di se kam ndikuar vetëm tek një viktimë që ia kam lehtësuar jetën, nuk është se pendohem”.

Krasniqi-Goodman ka pohuar se as SHBA-ja dhe as Kosova nuk është se kanë bërë ndonjë gjë për të pas rrëfimit të saj si e mbijetuar e dhunës seksuale.

“Ajo është shumë e vërtetë, nuk ka bërë as Amerika as edhe Kosova për rastin tim, tani ai është mbyllur, veç nëse ndodh ndonjë mrekulli që mundet të rigjykohet, por tek të tjerat raste të ketë drejtësi. Deri tani në Kosovë nuk është dënuar as edhe një serb për dhunë që kanë bërë në luftë. Shoqëria e Kosovës nuk duhet ta tolerojë këtë, sepse serbët e kanë bërë krimin dhe nuk duhet të lejohet kjo”.

Ajo ka thënë se drejtësia në Kosovë deri tani nuk është se ka bërë ndonjë gjë për dhunën që iu është bërë kosovarëve nga Serbia në luftën e fundit, ajo ka shtuar se shpreson se në të ardhmen e shpejtë duhet të veprohet ndaj këtij problemi.