75 Mall Live Search
20:08 / E Premte, 26 Mars 2021 / Blerim

SHBA, arrestohet ligjvënësja afro-amerikane pasi trokiti në derën e guvernatorit

Përfaqësuesja Park Cannon, një demokrate afro-amerikane nga shteti i Georgias në SHBA, u arrestua brenda rezidencës së shtetit ndërsa po protestonte kundër guvernatorit republikan Brian Kemp i cili nënshkroi një projektligj të diskutueshëm në një ceremoni me dyer të mbyllura, transmeton Anadolu Agency (AA).

Cannon u prangos menjëherë pasi ajo trokiti në derën e zyrës së selisë së Kemp, duke kërkuar transparencë në lidhje me nënshkrimin e ligjit.

Pavarësisht se e identifikoi veten si ligjvënëse, Cannon u nxor nga rezidenca e shtetit dhe u vendos në një automjet të policisë. Ajo u akuzua për pengimin e zbatimit të ligjit dhe parandalimin ose pengim të Asamblesë së Përgjithshme, sipas policisë.

Pas lirimit të saj, ajo përmes një postimi në Twitter, nënshkrimin me dyer të mbyllura të projekt-ligjit e cilësoi si produkt i “një sistemi supremacist të bardhë. Taktika të ndryshme, i njëjti qëllim: frika dhe kontrolli”.

“Unë nuk jam georgianja e parë që u arrestua për luftën kundër shtypjes së votuesve. Ne nuk do të jetojmë me frikë dhe nuk do të kontrollohemi. Ne kemi të drejtë për të ardhmen tonë dhe të drejtë për lirinë tonë. Ne do të bashkohemi dhe do të vazhdojmë duke luftuar supremacinë e bardhë në të gjitha format e saj”, shkroi ajo në Twitter.

Projektligji S.B. 202, përfshin ndryshime në kërkesat e identifikimit për votimin me postë. Presidenti Joe Biden fitoi shtetin në zgjedhjet presidenciale të SHBA në 2020, ndërsa paraardhësi i tij Donald Trump pretendoi se fitorja në Georgia i ishte vjedhur atij.