Kurti nderon të rënët e demostratave të ‘81

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mëngjesin e së premtes ka nderuar të rënët e demostratave në vitin 1981, shkruan IndeksOnline.
Kurti më 2 prill bëri homazhe para pllakatës të rënëve, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva.

Hajrizi dhe Asllani janë dëshmorët e parë të pranverës së madhe të vitit 1981, të rënë në ballë të demonstratës së 2 prillit të atij viti.

Më 2 prill 1981, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva ishin organizatorët e demonstratave të shkollarëve të Elektroteknikës. Dyert e shkollës atë ditë ishin mbyllur, por nxënësit dolën nga dritaret. Në përleshje me kordonin policor, Naseri ishte plagosur, por masa demonstruese kishte marshuar drejt qytetit. Pasi lidh plagën në familjen e Adem Kurteshit, Naseri vihet në ballë të demonstratës në qendër të qytetit.

Pas ndërhyrjes së forcave serbe, demonstruesit ndahen në grupe, njëri prej të cilëve ishte në sheshin midis Bankës Popullore (sot Kryeministria), Shtëpisë së Mallrave dhe Postës, të cilit i prinin Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva.

Dy të rinjtë, rreth orës nëntë, para dite, u vranë nga oficerë ushtarakë, të vendosur në objektin e Bankës./IndeksOnline/