75 Mall Live Search
13:26 / E Premte, 02 Prill 2021 / k.v

Policët duan pagën e 13-të, pagën jubilare dhe shujtat, avokatët po përgatisin paditë

Sindikata e Policisë së Kosovës ka nisur një betejë të rëndësishme për anëtarët e saj.

Nëpërmjet angazhimit të dy avokatëve, punonjësit e policisë po kërkojnë pagën e 13-të, pagën jubilare dhe shujtën, që të gjitha të garantuara me ligj.
Avokati Kastriot Feka ka thënë për IndeksOnline se ata kanë bërë një kërkesë në Policinë e Kosovës që të përmbushen këto kërkesa dhe nëse kjo nuk plotësohet atëherë do të nisin ngritjen e padive.

“Sipas ligjit duhet të presim 30 ditë nëse do të plotësohen kërkesat e parashtruara, në të kundërtën jemi të detyruar të nisim paditë. Do të jenë shumë padi pasi që nuk mundem me një t’i përfshijmë të gjithë zyrtarët policor”, ka thënë avokati Feka.

Ai beson fuqishëm se do t’ia dalin në këtë betejë sepse kërkesat e tyre janë të garantuara me ligj.

Ndërsa nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli ka thënë se ndonëse kishin premtime nga qeveritë e shkuara se këto kërkesa do të plotësohen, ato nuk janë plotësuar prandaj kanë zgjedhur rrugën tjetër, ku nëpërmjet angazhimit të avokatëve tu drejtohen gjykatave.

Tasholli ka thënë se nga padia mund të tërhiqen vetëm nëse marrin zotime konkrete nga kryeministri apo ministri i Punëve të Brendshme që paga e 13 dhe shujta do të hyjnë në fuqi.

Rikujtojmë se pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndonëse janë të rrezikuar në çdo kohë, ata ende nuk gëzojnë as sigurim shëndetësor./IndeksOnline/