Një muaj paraburgim për Besim Hajdarin i njohur si “Ciprra”

Gjykata Themelore në Prishtinë– Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.H. për shkak të dyshimit te bazuar se ka kryer veprat penale Vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.H. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Gjykata ka konstatuar se masat tjera janë të pa mjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, pasi që ekziston rreziku i ikjes së tij duke marr parasysh se ai përveç që ka ikur nga vendi i ngjarjes në datën kur ka ndodhur rasti, i njëjti nuk i është përgjigjur asnjëherë ftesave të policisë dhe vazhdimisht përkundër përpjekjeve të policisë, ai ka qëndruar në arrati, deri kur është arrestuar nga ana e policisë më datë 16.04.2021, andaj po të lihej në liri ekziston rreziku se do të ikte dhe do të pengonte zhvillimin e procedurës penale.
I pandehuri B.H. dyshohet se me datë 06.10.2020, rreth orës 18:35 në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, derisa ka qenë duke e drejtuar veturën e tij, e kishte penguar në shiritin qarkullues të dëmtuarin F.S., me ç ‘rast i pandehuri B.H. kishte dal nga vetura me armë në dorë, duke iu afruar veturës së të dëmtuarit F.S. dhe e kishte kërcënuar, ndërsa i dëmtuari H.G. duke kaluar atypari kishte ndërhyrë për ta larguar të pandehurin në këtë rast dhe në atë moment i pandehuri F.S. ia kishte drejtuar armën të dëmtuarit dhe kishte gjuajtur tre herë në të dëmtuarin, më ç ‘rast i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.