Pasi ishte dënuar tre herë me burg dhe gjobë, shtetasi i Shqipërisë lirohet nga akuza për narkotikë

Shpend Lilaj, i cili tre herë është shpallur fajtor nga shkalla e parë lidhur me akuzat për narkotikë, pas kthimit të rastit në rigjykim, në herën e katërt është shpallur i pafajshëm.
Sipas aktgjykimit të shpallur të martën, nga gjykatësi Vesel Ismajli, nuk është provuar se Lilaj e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Ismajli bëri të ditur se shpenzimet e procedurës penale bien mbi mjetet buxhetore të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Paraprakisht, Gjykata Themelore në Prishtinë tri herë të tjera e kishte shpallur fajtor për këto vepra penale të akuzuarin Lilaj.
Shtetasi i Shqipërisë, Shpendi Lilaj, në mars të vitit 2018, ishte dënuar me 4 vjet e 10 muaj burgim dhe 3,000 euro gjobë, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të pa autorizuar të narkotikëve”.
Lilaj ishte akuzuar për krim të organizuar me narkotikë, por trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Vesel Ismajli, kishte vendosur për rikualifikimin e veprës penale, duke e hequr krimin e organizuar si formë të kryerjes së veprës penale dhe duke e lënë vetëm veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të pa autorizuar të narkotikëve”.
Mirëpo pas ankesave të ushtruara nga PSRK dhe mbrojtja, Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe për shkak se përshkrimi faktik nuk është bërë sa duhet në aktgjykimin e shkallës së parë, e se arsyetimi është i pamjaftueshëm.
Para kësaj, Lilaj ishte shpallur edhe dy herë të tjera fajtor, konkretisht më 23 qershor dhe 23 tetor 2017, ku në të dy këto raste ai ishte dënuar me nga 7 vite burgim dhe 5,000 euro gjobë.
Mirëpo, pas ankesave, Gjykata e Apelit i kishte anuluar këto aktgjykime dhe rastin e kishte kthyer dy herë në rigjykim, madje, me vendimin e dytë të Apelit, të marrë në janar të vitit 2018, ishte bërë edhe ndërrimi i trupit gjykues në gjykatën e shkallës së parë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 14 dhjetor 2011, kishte ngritur aktakuzë ndaj Altin Allushi, Ahmet Isufaj, Shpend Lilaj, Petrit Nikqi, Tonin Greme dhe Astrit Hasanaj, me arsyetimin se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë qershorit të vitit 2011, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë së kundërligjshme financiare.
Gjithnjë, sipas prokurorisë, Greme, Isufaj e Lilaj e kishin organizuar këtë grup kriminal duke e kontaktuar të pandehurin Petrit Nikqi, përmes Astrit Hasanaj dhe duke e angazhuar Altin Alushin, ta transportojë drogën nga Kosova në Shqipëri, me kompensim prej 1400 euro. Pasi i akuzuari Petrit Nikqi, ia kishte dhënë Ahmet Isufajt, Shpend Lilajt dhe Tonin Gremës, 10 paketime në vlerën e përgjithshme prej 4.925,17 gramë të lëndës narkotike të llojit heroinë, të njëjtit e kishin paguar Nikqin prej 55 mijë euro, prej të cilave 5 mijë euro Nikqi, ia ka dhënë të akuzuarit Astrit Hasanaj.
Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë kryer veprën penale “krim i organizuar lidhur me blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.
I akuzuari Ahmet Isufaj, vazhdon të gjendet në arrati, kurse të akuzuarit e tjerë pas pranimit të fajësisë ishin dënuar me nga 4 vjet burgim në vitin 2013, gjë që tash e kanë kryer dënimin. Ndërsa, për Shpendi Lilajn, ishte veçuar procedura.