75 Mall Live Search
13:33 / E Diele, 25 Prill 2021 / Blerim

Hoxhaj kritikon ashpër Kurtin: Njerëzit po vdesin, ai po bën xhiro me xhipa në Shqipëri

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar pas votimit të kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet nacionale-parlamentare në Shqipëri.

Përmes një postimi në “Facebook”, Hoxhaj ka deklaruar se Kurti po interesohet më shumë për zyrtarët e partisë së tij në Shqipëri sesa për fatin e qytetarëve të Kosovës.

Ai ka shkruar se si Shqipëria i ka vaksinuar qindra mijëra qytetarë, ndërkohë që Kosova vazhdon të jetë ndër vendet me më së paku të vaksinuar në botë.

Postimi i tij i plotë:

Albin Kurti për të satën herë po shfaqet në Shqipëri si kryeministri i Kosovës që më shumë i interesojnë bashkëpartiakët atje se fati i bashkëqytetarëve këtu. Ndërkohë Shqipëria ka arritur numrin e 400 mijë qytetarëve të vaksinuar, në Kosovë janë vetëm 20 mijë të tillë në pritje të një tjetër kontigjenti ndihmash me vaksina.
Në takimin me Drejtorin e Përgjithshëm të Spitalit të Prizrenit, Dr. Afrim Avdaj mësova se në këtë qytet të madh nuk ka asnjë vaksinë të vetme në dispozicion ndërkohë që kërkesat e qytetarëve janë të larta. Edhe qendrat e tjera të vaksinimit në Kosovë janë të mbyllura.
Njerëzit po infektohen edhe më shumë, të tjerët po vdesin në mungesë të vaksinave e kryeministri Kurti me ministrat e tij por bëjnë xhiro me xhipa e deklarata për mot të mirë në Shqipëri. Por parashikimet në Kosovë nuk janë të tilla z. Kryeministër. Janë të errëta dhe për të cilat do të mbash përgjegjësi!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, votoi në zgjedhjet e sotme në Shqipëri pak pasi u hapën vendvotimet, ndërsa i ka ftuar qytetarët e Shqipërisë që ta bëjnë të njëjtën. /