Ministri i MAPL-së priti në takim përfaqësueset e UNDP-së në Kosovë

Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal z. Elbert Krasnqi priti në takim Znj. Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillimin e Agjencive të Kombeve të Bashkuara; Znj. Maria Suokko, përfaqësuesen e Përhershme të UNDP-së në Kosovë, Znj. Marta Gazideda, Zëvendës Koordinatore e Programit dhe Menaxhere e Portfolios për Qeverisje si dhe Shpend Qamili, zyrtar për komunikimin. Në këtë takim u diskutua për projektet e realizuara deri më tani mes MAPL-së dhe për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Ministri Krasniqi e falënderoj për vizitë urimin si dhe për përkrahjen që UNDP ka ofruar në ngritjen e kapaciteteve komunale, sidomos në rritjen e kontrollit të brendshëm dhe transparencës buxhetore për shpenzimin e fondeve publike dhe forcimin e shoqërisë civile duke iu mundësuar pjesëmarrje aktive në vendimmarrje lokale.
Ministri Krasniqi gjithashtu njoftoj përfaqësueset e UNDP-së me prioritetet e MAPL-së, sidomos në identifikimin dhe adresimin e problemeve që ka shkaktuar pandemia COVID – 19 në nivel lokal, reformën e kornizës ligjore për pushtetin lokal, koordinimin e nivelit qendror me atë lokal.
Gjatë takimit ministri Krasniqi dhe përfaqësueset e UNDP-së gjithashtu kanë biseduar për përmbushjen e objektivave në nivel lokal në përputhje me Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm, mjedisin, drejtësinë, masat kundër korrupsionit, respektimin e të drejtave njërëzore, dialogut ndëretnik, planet për integritet në nivel lokal, si dhe buxhetimin me theks të vecantë në partneritet publiko – privat.
Gjithashtu, u diskutua për koherencën sociale – përfshirjen sa më të madhe të personave të margjinalizuar në shërbimet komunale, ngritjen e besimit të këtyre grupeve ndaj këtyre shërbimeve, por edhe për mundësitë e reja dhe inovative që fusha e digjitalizimit mund të sjell në zhvillim të qëndrueshëm në nivel lokal. Të dy palët u pajtuan që të thellojnë dhe forcojnë bashkëpunimin edhe më tej në përmbushjen e këtyre objektivave.