75 Mall Live Search
14:28 / E Diele, 02 Maj 2021 / Blerim

Konjufca: Drejtësia i ka munguar që 22 vite qytetarëve të fshatit Studime

Sot bëhen 22 vite nga masakra në fshatin Studime të Vushtrrisë ku mbetën të vrarë nga forcat ushtarake të Serbisë, 116 martirë, në mesin e tyre fëmijë, gra dhe pleq. Familjarë i njohin kriminelët e kësaj masakre me emër dhe po kërkojnë drejtësi për më të dashurit e tyre.

Për të nderuar këta martirë në Studime ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca, ku tha se drejtësia i ka munguar që 22 vite qytetarëve të fshatit Studime, dhe atyre të gjithë Kosovës.

“Këtu në Studime për të nderuar martirët e renë para 22 viteve e të vrarë nga forcat ushtarake, policore e paramilitare të shtetit të Serbisë. Masakra e Studimës është një akt i gjenocidit që e ka bërë Serbia mbi popullin shqiptar të Kosovës, 116 shqiptar janë vrarë prej forcave të Serbisë duke mos kursyer as fëmijët, as gratë e as pleqtë, që tregon se qëllimi i qartë ka qenë shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës, shumicën duke i dëbuar prej Kosovës, një pjesë të madhe duke i vrarë dhe masakruar për të shkaktuar tmerr mbi popullin e Kosovës, që në fund të serbizohej Kosova, që të spastrohej etnikisht… ne përveç që kemi pikëllimin që i kemi humbur më të dashurit tanë, një pjesë e madhe e popullit të Kosovës e ka edhe zemërimin për shkak që nuk ka pasur drejtësi këto 22 vite për këtë gjenocid që e ka përjetuar edhe populli i Studimes, i Vushtrrisë dhe krejt populli shqiptar i Kosovës”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se familjarët e mbijetuar janë të gatshëm të dëshmojnë, pasi i njohin kriminelët e Masakrës së Studimes me emra.