Njohësi i futbollit, Genc Sermaxhaj tregon se si e priti pranimin e Kosovës në UEFA

Sot bëhen 5 vjet që Kosova u pranua në shtëpinë e madhe të futbollit Evropian, UEFA.
Pikërisht me 3 maj të vitit 2016 vendi ynë u pranua me të drejta të plota në organizatën më të madhe të futbollit në botë, shkruan IndeksOnline
Me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy abstenime, në kongresin e UEFA-s, Kosova u pranua si antare e 55-të e kësaj organizate.
Por, se si e përjetoi këtë moment historik ish-futbollisti dhe njohësi i sportit në vendin tonë, Genc Sermxhaj.
Ai në një prononcim për IndeksOnline tregoi në mënyrë kronologjike se si e priti momentin e 3 majit të vitit 2016.
“Natyrisht qe secili futbollist, ish-futbollist, trajner, tifoz, e dashamirë i futbollit e ka përjetuar me emocione momentin e pranimit te Kosovës ne UEFA”, tha fillimisht Sermxhaj.
“Isha ulur para televizorit dhe prisja këtë moment, ishin ngjarjet e fundit para se te pranohej edhe zyrtarisht Kosova në UEFA. Kisha një vit që i kisha dhënë fund lojës së futbollit. Për një çast mu kujtuan të gjitha momentet që kisha kaluar në lojën e futbollit. Ishin momente vërtetë emocionuese. I thash vetës që për mua koha më e mirë shkoi duke luajtur i mbyllur e pa na parë askush, talenti im dhe i shokëve të mi u shua pa e arritur kulmin e dëshmuar. Lutesha për të ardhmen e futbollistëve te rinj që të dëshmohen sa më shumë sepse një periudhë tjetër po vjen. Ne periudhë krejt ndryshe nga ajo që e kisha kaluar unë”, vazhdoi trajneri kosovar.
Sermaxhaj tregoi edhe se sa ka përparua Kosova me pranimin në UEFA dhe cilat janë dallimet me kohë kur ai vetë luante futboll.
“Tani ajo tashmë erdhi, futbolli i Kosovës vërtetë ka ndryshuar në shumë drejtime. Organizimi i ekipeve është më i mirë. Pagesat e futbollistëve janë shumë fish më të mira, ka trajner më të shkolluar dhe lojtarë shumë të mirë. Niveli sado pak është rritur dhe po behet një futboll më ndryshe. Kemi fusha sintetike për stërvitje dhe për lojë. Fushat kanë filluar të marrin pamje tjera me renovime në tribuna dhe në bari. Interesimi për lojën e futbollit tani është shumë më i madh se sa në të kaluarën.
“Këto janë disa prej dallimeve qe ishin nga e kaluara. Duke mos e harruar edhe motivin që tani bindshëm është më i madh sepse përveç pagave që lojtarët marrin, ata po përpiqen të dalin edhe ne Evropë dhe kjo sjell ngritjen e cilësisë”, tregon ish-futbollisti.
Por, ai thotë se vetëm bashkë mund ta ngrisim futbollin e Kosovës, pasi që ka prirje dhe talent.
“Gjithsesi nuk është e mjaftueshme. Duhet te bëjmë edhe më shumë bashkë për të ngritur futbollin kosovar. Ne kemi prirje e talent për lojën e futbollit dhe për këtë duhet t’i stimulojmë lojtaret e rijnë, t’i mbështesim e te punojmë sa më mirë me ta që të arrijmë hapa gjigand drejt suksesit”, përfundoi ai.