75 Mall Live Search
22:27 / E Diele, 09 Maj 2021 / AR

Borrell: BE e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës

Kryediplomati evropian, Josep Borrell ka thënë se Bashkimi Evropian e mbështet integritetin territorial të Bosnje Hercegovinës dhe se këtë e ka mbështetur gjithmonë.

Ai këtë e tha në blogun e tij ku bëri të ditur se nesër do të mbahet takimi i Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian.

Borrell ka deklaruar se të flitet për shkëputje të Bosnjës apo për kufij të rinj, ndarje të mëtejshme etnike ose luftë, është e rrezikshme dhe e papranueshme.

“Retorika që vë në pikëpyetje integritetin e Bosnjës dhe Hercegovinës duhet të ndalet. Të flasësh për shkëputje, kufij të rinj, ndarje të mëtejshme etnike ose luftë, është e rrezikshme dhe e papranueshme”.

“Pozicioni i BE-së nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë: ne mbështesim integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe e ardhmja e saj qëndron brenda BE-së si një vend i bashkuar dhe sovran. Unë i kam inkurajuar fuqimisht homologët e mi t’i japin fund çdo diskursi dhe veprimi kundërproduktiv”, ka thënë Borell.

Ai ka pohuar se disa “non-papers” që kanë qarkulluar kohëve të fundit për ndryshimin e kufijve të Ballkanit Perëndimor kanë shfaqur reagime të shumta.