75 Mall Live Search
16:00 / E Hënë, 10 Maj 2021 / kutia

Insekte brenda paketimit të shujtave për nxënësit në një shkollë të Prizrenit

Që nga marsi i këtij viti, komuna e Prizrenit ka filluar të shpërndaj shujta ditore për nxënësit e shkollave fillore nga klasa parafillore deri në klasën e pestë.

Kryetari i komunës, Mytaher Haskuka e cilësoi si një arritje të madhe ku paralajmëroi se nxënësit do të kenë çdo ditë nga një kifle derisa një herë në javë do të marrin edhe nga një gotë qumësht.

Edhe pse kjo është parë si një nismë pozitive e Komunës, kontraktuesi duket se nuk po i përmbush kriteret higjienike të ushqimit të shpërndarë.

Një prind i një nxënësit të shkollës fillore “Lekë Dukagjini” në Prizren ka dërguar në redaksinë e Indeksonline fotografi ku shihen insekte brenda ambalazhit të kifles edhe pse ajo nuk ishte e hapur.

Nxënësi nuk e kishte hapur kiflen në klasë derisa në shtëpi prindërit e tij kishin hasur në insekte brenda paketimit.

Komuna e Prizrenit ka thënë se është interesuar për rastin megjithatë drejtoresha e shkollës nuk e ka marrë asnjë ankesë për rastin

Drejtoria Komunale e Arsimit menjëherë ka kontaktuar me operatorin ekonomik, që e bën shpërndarjen e këtyre kifleve, të cilët kanë njoftuar se një defekt i tillë në prodhim nuk mund të ndodhë asnjëherë, pasi që në baza ditore merren mostrat, analizohen dhe prodhimi e paketimi bëhen po ashtu në baza ditore, në bazë të standardeve më të larta. Pra, ju njoftojmë se OE në baza ditore bën prodhimin e kifleve të shkollave dhe bën shpërndarjen e tyre po në atë ditë. Po ashtu duam të theksojmë se DKA ka kontaktuar edhe drejtoreshën e shkollës “Lekë Dukagjini”, e cila ka njoftuar se ka pasur asnjë ankesë të paraqitur në shkollë për një rast të tillë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.

“Premium Bakery” që është edhe furnizues me shujta në këtë shkollë nuk i është përgjigjur pyetjeve të Indeksonline. /IndeksOnline/