75 Mall Live Search
22:48 / E Hënë, 17 Maj 2021 / AR

Gazetari i njohur shqiptar: Kokaina që u kap në Lipjan ishte destinuar për në Gjermani, ka pastërti 92%

Artan Hoxha, gazetari hulumtes nga Shqipëria ka folur për aksionin e sotëm ku u konfiskua rreth 400 kg kokainë në Lipjan.

Ai u shpreh se droga e konfiskuar në Lipjan është e pastër gati sa kristali, shkruan Indeksonline.

“Kjo drogë e kalon pastërtinë e 92%, që është ndër pastërtitë më të mëdha të kokainës. Nuk do të ishte e mundur që ajo sasi të hidhej në treg ashtu. Pra nëse janë konfiskuar 400 kg kokainë të tillë, në treg do të hidhej trefishi i saj.

Kjo pastërti e kokainës i lejon trafikantët ta zbusin drogën dhe ta bëjnë të absorbueshme për klientët, pasi pastërtia aq e madhe rrezikon jetën e përdoruesve të saj”.

Tutje, Hoxha tha se ky duhet të jetë një alarm për autoritetet e Kosovës pasi Kosova po kthehet në bazë operacionale për trafikantët.

“Për fat të keq tashmë është provuar se territori i Kosovës po kthehet në një bazë operacionale të grupeve kriminale që merren me narkotrafikun”, tha ai në Debat Plus.

Gazetari njoftoi që kjo drogë ishte e destinuar për tregun e pasur të BE-së dhe jo të Kosovës e Shqipërisë.

Hoxha dyshon se droga ishte destinuar për tregun gjerman pasi sipas tij atje ka grupe nga Kosova që merren me trafikimin e drogës./Indeksonline/