Ekskluzive/ Shpërlarje parash, flasin nga kompania që mori dyfishin e pagesës prej Thesarit

Ministri i Financave Punës dhe Transfereve Hekuran Murati sot ka njoftuar se kanë bërë identifikimin e disa transfereve të dyshimta si dhe pagesa të dyfishta të parregullta.
Indeksonline ka mësuar se ndërmarrja ndërtimore “Izolimi”, është ndër kompanitë që ka pranuar dyfishin e pagesës për punët e kryera në Universitetin e Prishtinës.
Vlera e kontratës është 101 mijë euro, ndërsa kompania në fjalë ka marrë nga Thesari i Shtetit dyfishin e pagesës, pra 202 mijë euro.
Lidhur me rastin, për Indeksonline janë deklaruar nga kjo kompani ku edhe rrëfyen se si ndodhi ngjarja. Ata treguan që posa e vërejtën këtë pagesë të dyfishtë, kanë njoftuar Thesarin, kështu duke kërkuar një rrugë për t’i kthyer ato.
“Kompania jonë realizon kontrata në sektor privat dhe publik. Në momentin që e kemi marrë raportin e bankës, është vërejt që është një pagesë, dmth është pagu dy herë vlera e njëjtë. 101 mijë euro ka qenë vlera e parë. Dmth ne e kemi marrë dyfshin e saj. Ne jemi të parët që e kemi vërejt dhe i kemi shkru Thesarit dhe Universitetit të Prishtinës dhe e kemi shpreh dëshirën, veç kemi kërku rrugën më të mirë për me i kthy mjetet, edhe kemi kërku afat deri nesër. Një pjesë e mjeteve janë kthy, pjesa tjetër kthehen deri nesër”.
Deri më tani, nga “Izolimi” treguan që kanë kthyer rreth 60-70% të pagesës, dhe deri nesër do i kthejnë mjetet komplet.
“Ne kemi lajmëru që është bërë pagesa e dyfishtë. 101 mijë është vlera e kontratës. Vlera e njëjtë është bërë dy herë. Rasti ka ndodh në fund të muajit të kalum. Në momentin që e ka pa zyra e Financave, e kemi parë që është bërë pagesa dy herë. Për shkak që ata i kanë vonu mjetet shumë kohë, ne e kemi dërgu lëndën të përmbaruesi, dhe një vlerë është pagu prej Thesarit dhe tjetra prej përmbaruesit. Vlera e kthyer është rreth 60-70%, deri nesër i kthejmë mjetet komplet”.
Indeksonline gjatë ditës ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave për të marrë versionin e tyre lidhur me rastin, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.
Ministri Murati gjatë konferencës së sotme njoftoi që janë ngrirë rreth një milionë euro që kanë të bëjnë me shpërlarje të parasë dhe me financim të terrorizmit./Indeksonline/