88 vjeçari nga Prishtina, priti disa orë dhe s’u vaksinua, rrëfimi i dhimbshëm i plakut kosovar

Hysen Bytyqi 88 vjeçar nga Shashkovci i Prishtinës, kishte bërë kilometra të gjatë për të ardhur deri tek qendra e vaksinimit në kryeqytet, por pas katër orëve pritje, atij i thanë se nuk mund të marrë atë për çfarë kishte ardhur.
I shtyrë në moshë, e i lodhur nga puna mbi 40 vjeçare në minierën e Kishnicës, ai rrëfen për IndeksOnline se si u refuzua nga stafi mjekësor tek “1 tetori” për të marrë vaksinën kundër Covid-19.
“Ma dhanë këtë letër e më thanë merr e qoje te shpia. Ku me qu unë këtë letër, u thash, më thanë qo te shtëpia. Po te shpija kesh”, tregon plaku kosovar.
Ai gjatë rrëfimit të tij për IndeksOnline tregon se si në shtëpi jeton me dy djemtë e tij dhe rejën, por se asnjëri nga ta nuk është në gjendje fizike për t’i ndihmuar apo asistuar që ai të regjistrohet paraprakisht në sistemin online për të marrë vaksinën.
“Djalin e kam me tension, reja qashtu. E një djalë tjetër nuk e kam mirë, nuk është i aftë për asgjë”, tregon mes tjerash Bytyqi.
Ndërsa fëmijët e tjerë që ka ai i jetojnë jashtë vendit.
88 vjeçari nga Shashkovci i Prishtinës, vuan nga sëmundja e mushkrive, tensioni i lartë si dhe sëmundje të tjera për të cilat siç thotë ai, nuk di as nga të ja nisë.
I dërmuar, e duke ecur me vështirësi të mëdha, ai thotë se më nuk do të shfaqet për të marrë vaksinën.
“Unë ma nuk vijë. Nëse duan të vijnë tek shtëpia, le të vijnë, se unë se kam moshën për tu enë knej anej”, tha Hyseni.
Në këtë video mund ta ndiqni rrëfimin e tij të plotë: