Rusia nis të prodhojë rivalin e “Bentleyt” dhe “Rolls-Royceit”

Rusia ka nisur të hënën prodhimin e veturës luksoze “Aurus Senat”, të promovuar nga presidenti Vladimir Putin.
Shteti shpalosi planet për linjën në vitin 2013. Putini ndihmoi në promovimin e veturës duke e drejtuar atë gjatë inaugurimit si president në vitin 2018.
Prodhimi do të jetë i limituar në 200 deri 300 njësi sivjet, ka thënë ministri i Industrisë, Denis Manturov.
Vetura, që shihet si projekt prestigjioz i Kremlinit, mund të jetë në dispozicion për 250 mijë dollarë.
Rusia po planifikon të ndikojë në reduktimin e varësisë së saj në mallra e teknologji të importuar, iniciativë që mori përshpejtim pasi Moska u godit nga disa sanksione të Perëndimit më 2014.
“Aurus” është kompani ruse që shpreson të rivalizojë “Bentleyn” dhe “Rolls-Roycein” në tregun e veturave luksoze. Brendi udhëhiqet nga instituti rus i hulumtimeve në automobilizëm në aleancë me prodhuesin rus “Sollers”, që ka bashkëpunim me “Fordin”.