75 Mall Live Search
23:12 / E Martë, 01 Qershor 2021 / A. A

Anglezët e lan në ‘lloq’, por Ferizaji gjen pronarin e ri

Disa vite më parë, Ferizaji ishte bërë pronë e disa ish futbollistëve anglez.

Por projekti i tyre dështoi dhe klubi ishte në situatë të rëndë financiare.

Megjithatë kriza duket se po merr fund.

Për shumë vite në krye të klubit të hendbollit Kastrioti (meshkujt), tani edhe në kryesi të femrave të Kastriotit, Lulzim Abazi, vendosi t’i futet një beteje tjetër, aty ku para shumë viteve vëllai i tij, Afrimi, ka qenë kryetar në klubin e futbollit Ferizaj!  Lulzim Abazi është pronar i ri i KF Ferizaj.

Familja Abazi njihet si kontribues të mëdhenj të futbollit me vite të tëra, sidomos në kohën e okupimit dhe në vitet e pasluftës. Abazi zotohet se do ta kthejë dinjitetin e klubit, do të kthejë në elitë.

Klubi i Futbollit Ferizaj në duar të sigurta, bizneset më të fuqishme ferizajase, pronarë të rinj të klubit.

“Pas përpjekjeve disajavëshe, ekipi ynë i zemrës, Klubi i Futbollit “Ferizaj”, i gjetur në vështirësi që padyshim nuk meritoi, po këndellet. Është përgjigja pozitive që mora nga bizneset ndër më të fuqishme ferizajase, në iniciativën time për ta marr në duar të sigurta fatin e klubit, ajo që po rikthen shpresën

Një qytet si Ferizaj, sinonim ka biznesin, e kjo e fundit natyrshëm do t’i shërbej si lokomotivë ecjes së shpejtë drejt majave elitare të futbollit ferizajas.

Është momenti për të uruar futbollistët dhe futbolldashësit, është çasti për të falënderuar bizneset kurdoherë të gatshme, është ora e rikthimit të fuqishëm të Klubit të Futbollit “Ferizaj”.

I lumtur ta kurorëzoj suksesshëm iniciativën time dhe ta kumtoj këtë lajm të mezipritur për adhuruesit e futbollistët ferizajas.

Urime e pastë ditë të bardha për futbollin ferizajas!”, bëhet e ditur nga faqja e komunës së Ferizajt.