Çeku për stadiumin nacional: Kontratën për studimin e fizibilitetit e kemi proceduar në krimet ekonomike të Policisë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka folur në seancën e Kuvendit të Kosovës sot në lidhje me ndërtimin e stadiumit nacional.
Çeku ka treguar se kontratën për studimin e fizibilitetit e ka proceduar në krimet ekonomike të Policisë, transmeton Indeksonline.
Ai ka treguar për parregullësitë që ka gjetur nga kontrata për studimin e fizibilitetit.
“Kontrata për studimin e fizibilitetit mbetet e pambyllur, ka një proces gjyqësor. Ministria e ka paditur operatorin për mospërmbushje të disa detyrimeve në kontratë. Auditori e ka gjetur se ka pasur paradhënie të kundërligjshme, detyrimet tatimore nuk janë kryer dhe operatori nuk ka pasur përfaqësi në Kosovë dhe i ka pranuar mjetet përkundër kësaj.”
“Në ndërkohë përkundër gjithë këtyre parregullsive, çuditërisht operatori e ka gëzuar shumë totale të kontratës, pjesa e fundit e së cilës është ekzekutuar me përmbarues. Kemi kuptuar se ministria asnjëherë nuk ka tentuar të prapësoj kërkesën e përmbaruesit duke lënë që të rrjedh afati kohor dhe të merren paratë nga buxheti i ministrisë. Për krejt këto aryse, këtë kontratë e kam proceduar në krimet ekonomike të Policisë së Kosovës. Së dyti në atë dokument që e kemi pranuar në emër të fizibilitetit ka një llogaritje preliminare të kostos dhe një projekt ideor për stadiumin. Aty thuhet që kostoja për afro sipas kohës kur është bërë para disa vitesh është për rreth 75 milionë euro.”
“Kjo shumë nuk përfshinë koston e operimit dhe mirëmbajtjes. Për më tepër me çmimet e tregut sot dhe sipas vlerësimit të ekspertëve kostoja e ndërtimit të stadiumit nacional mund të shkoj nga 100 deri në 120 milionë euro, kjo shumë është e papërballueshme për mundësit aktuale buxhetore të Kosovës. Si rezultat i shkurtimeve buxhetore për shkak të pandemisë, Ministrisë së Kulturës i janë hequr rreth 10 milionë euro, pjesa më e madhe nga projekti i stadiumit nacional”, u shprehë ministri./Indeksonline/