Murati: Me falje të ndëshkimeve nuk mahet shteti, shteti mahet me tatim

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në seancën e sotme të Kuvendit ka dalë kundër faljes së gjobave të pandemisë për bizneset.
“Në tekstin që kam pranu, thuhet që thirret ministri i Financave për faljen e gjobave të pandemisë. Pastaj në fjalim, Tahiri thotë se duhet falur edhe gjobat e ATK-së, që s’kanë të bëjnë me pandemi. Çështja tjetër janë gjobat e inspektoratit që s’kanë të bëjnë me ministrinë”, ka thënë ai.
Tutje Murati ka thënë se gjobat janë për shkelësit e ligjit, dhe ato nuk mund të falen.
Sipas tij, shteti s’mund të mbahet me falje të ndëshkimeve, por vetëm me tatime.
“Çështja se a duhet të falen borxhet: Gjobat janë për një arsye, për të ndëshkuar shkelësit e ligjit. Nëse hiqet ky mjet, krijohet anarki dhe kaos. Për qeverinë tonë, ligjshmëria është prioritar. Nuk ka përjashtime nga ligji. Nëse flasim për ATK-në, janë dy lloj tatimesh për të cilën kanë obligime. Pra është TVSH-ja dhe tatimi në fitim. Pra, nuk është e hyrë biznesore dhe as nuk i takon biznesit”, tha tutje Murati.
“Ka qenë një ligj për faljen e borxheve tatimore i cili ka kriju pritje që kërkush mos me pagu tatimin. Borxhet nuk mund t’i falim. Me falje të ndëshkimeve nuk mahet shteti, shteti mahet me tatim”, ka thënë ai.