Zv.kryeministrja Redzepi thotë se Qeveria ka plan konkret për komunitetet, zotohet se do i përkrahë

Në organizim të Zyrës së kryeministrit dhe në mbështetje të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, u organizua një punëtori me titull “Diversiteti dhe barazia në Republikën e Kosovës”, pjesëmarrës kanë qenë zëvendëskryeministrja për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut znj. Emilija Redžepi dhe Naim Qelaj (Avokat i popullit), kurse përmes platformës Zoom kanë marrë pjesë edhe Luigi Bruce (BE në Prishtinë) dhe Irena Guidikova (Shefe e Departamentit të BE-së për mbrojtje nga diskriminimi).
Në kuadër të kësaj punëtorie është prezantuar hulumtimi në temën “Format e diskriminimit në Kosovë”, të realizuar nga Zyra për qeverisje të mirë, e cila vepron në kuadër të Zyrës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës në Kosovë dhe ekspertë të pavarur të kësaj fushe.

Ky hulumtim ka treguar se ka përparim në luftimin e diskriminimit në të gjitha fushat e shoqërisë dhe se ka akoma shumë çështje të hapura për të cilat duhet të punohet më shkathët. Përkatësisht, duhet vepruar institucionalisht në zvogëlimin e diskriminimit të grupeve/ komuniteteve të cenueshme.
Të gjithë pjesëmarrësit të cilët kanë folur për këtë temë u pajtuan se ka përparim në luftimin e diskriminimit kundër grupeve dhe komuniteteve të ndryshme dhe se mbetet shumë për të bërë për ta eleminuar diskriminimin.

Zëvendëskryeministrja për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, znj. Emilija Redžepi, posaçërisht ka theksuar diskriminimin e komuniteteve pakicë sa i përket përdorimit të gjuhës së tyre dhe punësimit në institucionet publike dhe private si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal. Gjithashtu ka theksuar se qeveria ka një strategji për veprim në të ardhmen për zvogëlimin e diskriminimit të komuniteteve pakicë dhe grupeve të margjinalizuara. Posaçërisht ka theskuar se në mandatin e saj do të përpiqet t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, mbi bazën e të cilave mbrohen të drejtat e grupeve të margjinalizuara dhe të komuniteteve pakicë kombëtare në vendin tonë.
Gjithashtu, përfaqësuesit e Këshillit të Evropës u pajtuan që Kosova po tregon një dëshirë dhe vullnet të qartë për ta zvogëluar diskriminimin në të gjitha fushat, dhe një nga treguesit është se për herë të parë brenda Qeverisë ekziston një pozitë e zëvendëskryeministrit për t’i mbrojtur interesat e grupeve të cenueshme dhe të drejtat e komuniteteve pakicë.
Kjo punëtori u organizua në një nivel shumë të lartë dhe me bashkëbisedues shumë serioz nga institucionet e Kosovës dhe bashkëbisedues të cilët u përfshinë përmes platformës Zoom nga vende të ndryshme të Evropës.
