Xhaka: Ekipi i Zvicrës mund të shkatërrohet nga kritikat

Zvicra mbrëmë ka mposhtur Turqinë me rezultat 3-1 në ndeshjen e rrethit të fundit të Grupit A të Euro 2020.
Xherdan Shaqiri shënoi dy gola dhe u shpall njeriu i ndeshjes, derisa Granit Xhaka bëri një paraqitje mjaftë të mirë, shkruan Indeksonline.
Kapiteni i Zvicrës foli pas ndeshjes duke cilësuar kritikat pa vend që mund ta dëmtojnë skuadrën.
“Trysnia mbi ne ishte e jashtëzakonshme. E drejtë apo e padrejtë, tani nuk ka rëndësi. Por ne patëm një bisedë të mirë si ekip, veçanërisht dje (e shtune). Ne ishim të hapur ndaj njëri-tjetrit dhe folëm për atë që na bënë të fortë”, ka thënë Granit Xhaka pas ndeshjes.
“Ne jemi kritikuar shumë për gjëra të vogla të cilat mendoj se nuk janë të rëndësishme. Ju siguroj për një gjë: ky ekip nuk mund të shkatërrohet me gjëra të tilla. Ne nuk mund të kemi ndikim mbi atë që ndodh jashtë (ekipit). Ajo të cilën ne mund ta ndikojmë është karakteri i këtij ekipi. Këtë e dëshmuam sot. Ne e dimë që jemi të fortë kur e kemi topin në këmbë. Të gjithë e kërkuan topin sot. Sot treguam se çfarë mund të bëjmë.”
“Njerëzit po përpiqen ta shkatërrojnë këtë ekip duke folur shumë dhe duke shkruar shumë. Por siç thashë: ky ekip nuk mund të rrënohet nga gjëra të tilla!” shtoi ai.