Llapi pritet të fitojë në total rreth 700 mijë euro nëse kalon rrethin e parë të Conference League

Llapi do të marrë pjesë për herë të parë në garat evropiane. Skuadra nga Podujeva e fitoi Kupën e Kosovës edicionin e kaluar, duke mposhtur Dukagjinin e Klinës në finale.
Muajin e ardhshëm, ekipi i Tahir Batatinës debuton në formatin e ri të garave të UEFA-s, Europa Conference League.
Ky sukses do të mbush arkat e klubit me disa qindra-mijëra euro.
Presidenti i Llapit, Beqir Batatina thotë se ende nuk e kanë të konfirmuar por sipas informacioneve që kanë deri tani kjo është shuma që pritet t’i takojë Llapit.
“Për fitimin e Kupës dhe pjesëmarrje në Evropë pritet të përfitojmë rreth 450 mijë euro. Nëse e kalojmë rrethin e parë të Conference League janë edhe 270 mijë euro. Sidoqoftë, kjo është garë e re dhe ende nuk e kemi të konfirmuar informacionin për përfitimet financiare” deklaroi Batatina për Indeksonline.
Llapi do të ballafaqohet me Shkupin në rrethin e parë kualifikues të Conference League me 8 korrik në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.
/Indeksonline/