75 Mall Live Search
16:23 / E Hënë, 12 Korrik 2021 / AR

884 qytetarë të Deçanit dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes, kryetari i kësaj komune jep detaje

884 qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë pas dyshimeve se mund të jenë helmuar nga uji.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj në një konferencë për media, transmeton “Indeksonline”.

Ai ka thënë se 884 qytetarë nga dita e shtunë e javës së kaluar e deri të hënën kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF.

Me këtë rast, Ramosaj ka thënë se kanë marrë vendimin që uji të mos përdoret më.

Ndërsa, sipas tij, rezultatet kanë treguar se kimikisht nuk ka probleme nga uji, por që po i presin edhe analizat biologjike.

“Ne kemi marrë vendim që uji të mos përdoret. Kemi ftuar prokurorinë, hetuesit, policinë e shtetit, IKShPK-në, kompaninë ‘Hidrodrini’ të cilët janë duke e kryet punën që të kemi një ekspertizë të saktë”, ka thënë ai.

Më tutje, Ramosaj ka thënë se kjo nuk është hera e parë që po raportohen probleme të tilla.

Ai është shprehur se është hera e dytë që po ndodh një gjë e tillë dhe se kjo bënë që ata të kenë dyshime që këto probleme mund të jenë të qëllimshme.

“Ne si komunë kemi interes të tregojmë për situatën e krijuar në ditën e shtunë që ka vazhduar edhe dje, por sot intensiteti është në rënie e sipër. Ditën e shtune kemi pas dikun 164 raste. Kemi dyshuar që është ndonjë semundje virale sezonale. Gjatë mbramjes dhe të dielën është rritur numri dhe dyshimi i parë ka qenë nga uji i pijës dhe ka edhe supozime tjera”, ka thënë ndër të tjera Ramosaj transmeton “Indeksonline”.

“Janë 884 pacientë që kanë simptoma të njëjta”, ka treguar ai.

I pari i Deçanit ka njoftuar se e kanë ftuar prokurorinë, hetuesit dhe policinë për të zbardhur këtë rast./Indeksonline/