Paga përgjysmë, klauzola e re, dhe efekti domino, detaje të kontratës së re të Messit

Lionel Messi ka arritur marrëveshje me Barcelonën për zgjatjen e kontratës. Futbollisti më i mirë në histori të futbollit do të jetë te Barcelona pothuajse deri në pensionim.
Disa ditë kanë zgjatur bisedimet mes Joan Laportas, dhe babait të Messit, Jorges. “Pleshti” do të vazhdojë për pesë sezone me Barcelonën , do të marrë gjysmën e asaj që ka marrë në kontratën e tij të mëparshme. 350 milionë euro do të jetë klauzola e lirimit të tij nga Barça.
Laporta i është lutur Messit që të ketë pagë përgjysmë më të vogël për shkak të situatës së rëndë financiare në të cilën po kalon klubi.

Laporta është i bindur se ulja e pagës të Messit do të ketë efektin domino, ngase janë “të detyruar” të pranojnë ulje page edhe futbollistët e tjerë, sidomos Piqué, Busquets, Sergi Roberto dhe Jordi Alba që kanë paga të majme dhe janë më të “moshuar”.
Me kontratën e re, Messi i bie të jetë te Barcelona deri në moshën 39 vjeçare.
Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të bëhet javën e ardhshme. Laporta ka patur presion edhe nga sponzorët që të përfundojë çështja e kontratës së Messit. Rakuten ka qenë njëri nga sponzorët që ka kërcënuar me largim, nëse nuk sqarohet çështja e kontratës për Leon.
Një nga kërkesat e Messit për Barcelonën ka qenë krijimi i një ekipi konkurues. Ai ka kërkuar përforcime dhe një plan serioz në afatin kalimtar./Indeksonline/