75 Mall Live Search
14:46 / E Diele, 01 Gusht 2021 / C E

Sa e vjetër mund të jetë ideja e Ballkanit të Hapur?

Ballkan i Hapur ose Open Balkan është emri i ri i bashkëpunimit rajonal që ka për qëllim hapjen e vendeve për tregti të lirë dhe qarkullim në mes të vende të Ballkanit Perëndimor lirshëm pa barriera kufitare. Tre shtete Ballkanike tashmë janë bërë pjesë e kësaj nisme dhe I kanë paraqitur qëndrimet e tyre pak ditë më parë në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Regjional në Maqedoni.

Por sa e vjetër mund të jetë ideja e Ballkanit të Hapur që për referencë kryesore e ka procesin e Berlinit?

Studiusi i filozofisë Alban Berisha i është referuar fakteve historike që thonë se një ide e tillë në mes të këtyre vendeve daton që në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, më saktësisht në mes të viteve 1946 dhe 1948, kohë kur Ballkani Perëndimor ishte nën sistemin komunist të kohës të udhëhequr atë botë nga Bashkimi Sovjetik.

Ideja për një bashkëpunim ballkanik ne mes te Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë nuk është ide e re, as nuk është ide e shk. XXI. Ne fakt këtë ide shume te ngjashme sipas Walter Laqueur ne librin “EUROPA NE KOHEN TONE 1945-1992”, e gjejmë ne vitet e para pas Luftës se Dytë Botërore, ku me 1946-1948 nën direktivën sovjetike, këtë ide te bashkëpunimit rajonal kishin filluar ta shtyjnë para, Jugosllavia, Bulgaria, Shqipëria dhe Greqia me mendimin e zhvillimit ekonomik ku edhe atëherë kishin filluar pikërisht nga lehtësimi i qarkullimit në pikalimet kufitare, ose siç thuhet ne libër “lehtësimi ne pikat doganore”, krejt kjo pas një krize ekonomike qe kishte kapluar Ballkanin pas Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Më tutje ai ka shtuar se, kjo ide atëherë kishte dështuar pasi që pas disa muajsh ishte parë, se si e tillë po rrezikonte pavarësitë e shteteve përkatëse, dhe rrjedhimisht po cenonte stabilitetin nën sistemin komunist. “Krejt në fund në vitin 1948, do të ishte pikërisht Jugosllavia e cila do të tërhiqej nga kjo ide”, përfundon Berisha.

 Edhe kryeministri i Shqipërisë̈ Edi Rama tha se plani si i tillë nuk është shpikje e re.

Një nismë që nuk shpikë asgjë të re, por sjell në këtë rajon një shembull kuptimplotë shembullin e bashkimit europian. Kush thotë se kjo është një nismë e projektuar në podrumet e ish Jugosllavisë, e para jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë dhe e treta harron se po të nisemi kështu atëherë duhet të themi se edhe BE është një Jugosllavi e madhe”, ka thënë kryeministri shqiptar gjatë punimeve të forumit ekonomik për bashkëpunim regjional.

Hapja e Ballkanit në një kohë kur Serbia nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, është kundërshtuar nga pala kosovare dhe shumica e partive politike në Kosovë.