City e fillon me humbje, Son vendimtar në fitoren e Tottenham
Manchester City e ka filluar me humbje sezonin e ri në Premierligë.
Kampionët në fuqi janë mposhtur nga Tottenham me rezultat 1-0, shkruan Indeksonline.
Sfida nisi më mirë për të besuarit e Guardiolës, që si gjithmonë, morën kontrollin e topit dhe në minutat 5’ dhe 6’ kërcënuan me Fernandihnon e Cancelon, por pa ia dalë të shqetësojnë portierin veteran francez, Hugo Lloris.
Nga ana tjetër, rasti i parë i rrezikshëm për vendasit e Nuno Spirito Santo u regjistrua në minutën e 25-të, kur pas një daljeje të pa studiuar mirë nga braziliani Ederson, topi shkoi te Lukas, që gjuajti menjëherë, por ndërhyrja e Gundogan mbi vijën fatale të portës shmangu golin.
Në minutën e 40-të londinezët patën një tjetër rast të rrezikshëm, këtë herë me sulmuesin Hueng Min Son, i cili u shërbye saktë në zonë dhe ndonëse i vetëm me Ederson, gjuajti jashtë kuadratit duke shpërdoruar një tjetër mundësi për të kaluar të tijtë në avantazh.
Goli për “Spurs”-at ishte rrotull dhe erdhi vetëm në minutën e 56’, kur holandezi Bergëijn shërbeu saktë në zonë për Hueng Min Son, i cili këtë herë nuk mund të gabonte sërish dhe ia doli të mposhtë portierin Ederson e t’u japë avantazhin të tijve.
Goli zgjoi skuadrën e Guardiolës, që iu afrua golit në minutën e 75-të me anë të blerjes më të bujshme të kësaj vere, Jack Grealish, por tentative e ish futbollistit të Aston Villës u ndal nga portieri Hugo Lloris.
Gardiani francez u bë hero edhe në minutën e 84-t, pasi këtë herë bëri një pritje fantasitke ndaj fantazistit belg Kevin De Bruyne, i cili la pas dëmtimin dhe u aktivizua në 15 minutat e fundit të ndeshjes nga Pep Guardiola.
Deri në vërshëllimën finale të Anthony Tailor, rezultati mbeti i pandryshuar, me Nuno Espiruito Santo që debuton me fitore në pankinën e Tottenham dhe kampionët në fuqi, që zhgënjejnë në performancën e parë zyrtare.
Nga ana tjetër Harry Kane, i cili ndoqi ndeshjen e sotme nga tribuna, tani duhet të mendojë mirë nëse ia vlen të largohet nga Tottenhami drejt Manchester City-t.