Mamer Dogani, kameramani kaçanikas që bëri historinë
Para 31 vitesh, unë xhirova pamjet kur u shpall “Kushtetuta e Kaçanikut”. Për këtë punë askush s’më ka vetë, tha Mameri, djali i agës Bub, i cili rron në periferi të Malmos së Suedisë.
Organizatori i shfaqjes së madhe – profesori, lideri shpirtëror, buldozeri që bëri kthesa, Hebib Shehu.
———-
Nga Agim Muhaxheri
Sot është përvjetori i 31-të i shpalljes së kushtetutës së parë të republikës së Kosovës…
… aktit më të lartë juridiko – politik i shpallur në Kaçanik, i njohur si “Kushtetuta e Kaçanikut”.
Delegatët e Kuvendit të KSA të Kosovës, këtë punë me peshë historike e kryen më 7 shtator 1990, në Pallatin e Kulturës – amfiteatrin e vogël…
Ceremonia përfundon pas orës 20:00, ditën e premte, ditën e pazarit në Kaçanik.
Pallati i Kulturës ka qenë i rrethuar nga të rinjtë kaçanikas të armatosur…
Të gjitha punët në Kaçanik janë kryer ditën e pazarit..,
Lajmin e parë për këtë ngjarje të madhe e ka transmetuar gazeta italiane “Corriera della sera”. Ndërkaq, pas një “intermezo”, pasi delegatët u shpërndanë anëkënd botës, artikullin në javoret tona e publikon gazetari i “Rilindjes”, Zenun Çelaj, të ilustruar me fotot e fotoreporterit të “Kosovares”, Enver Bylykbashit.
Njëri nga personazhet e “Kushtetutës së Kaçanikut”, është kameramani kaçanikas, Mamer Dogani, 57, i cili që nga viti 1991 rron në Staffanstrop, periferi të Malmos së Suedisë.
Mameri është djali i agës Bub, këtij tregtari të njohur, esnafit të çarshisë…
Do të bëj një shkrim për ty në Indeksonline, i them Mamerit në fcb. Ai shprehu habinë:
– Ehhh, për këtë punë mua askush s’më ka vetë, breeee !
Nga albumi i tij më dërgon fotografinë me kamerën mbi supe. “Me këtë kamerë, që e kam edhe sot, xhirova pamjet e shpalljes së Kushtetutës. E ruaj edhe kasetën… “, tha ai.
E pyes kush e ka angazhuar të xhirojë seancën solemne të shpalljes së Kushtetutës, më përgjigjet shkurt:
– Dihet, Hebib Shehu…, tha ai.
Kush është Hebib Shehu ?
Ky është profesori im i sociologjisë – nga gjimnazi, buldozeri i kthesave të mëdha në Kaçanik…
… Ish – i burgosuri politik, i torturuari nga regjimi i Miloševiçit…
Në një proces gjyqësor të mbajtur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ishte dëgjuar rrëfimi i tij se si hetuesit e policisë ia kishin hapur varrin për ta varrosin të gjallë… Procesin e tij e kam ndjekur për gazetën “Rilindja”.