75 Mall Live Search
18:10 / E Premte, 17 Shtator 2021 / A. M.

Aliu: Padrejtësisht ma rrënuan objektin, kam incizim 46 min. me Bulliqin… – Komuna: Objekti s’kishte leje!

Një incizim 46 minuta me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe 3 drejtorë të komunës, pretendon se e posedon Faton Aliu, pronari i kompanisë “Te Muslia”, objekti i të cilit u rrënua sot në Sekiraqë me urdhër të Komunës.

Në një intervistë për “Indeksonline”, Aliu theksoi se i është bërë e padrejtë me rrënimin e objektit (2400 metra katror). Ai tha se kishte dritën jeshile nga komuna për ta ndërtuar, por jo edhe “de jure”.

Nga ana tjetër, drejtori i Inspeksionit në Komunën e Podujevës, Bedri Maqastena, sqaron se ekzekutimi i vendimit për rrenim e objektit në fjalë është kryer sipas procedurave te parapara konform ligjeve te aplikuara nga Inspektorati i Ndërtimit lidhur me trajtimin e objekteve pa leje.

Faton Aliu, pronar i kompanisë “Te Muslia”, ndërtues i objektit në fshatin Sekiraqë, thotë se në vitin 2019 ka aplikuar për hartë zonale

“U kthy harta zonale në pushtetin e kaluar. Ka pas mu votu në ketë pushtetin tash. E kanë anuluar për shkaqe mi shti tokat e veta në hartë zonale. Me 30.12.2020 kam publiku për hartë zonale, mu ka kthy si refuzim”, u shpreh ai.

Tutje, Aliu thotë se ka biseduar edhe me kryetarin e komunës, Shpejtim Bulliqi, para se të nis ndërtimi.

“… edhe ma ka dhënë dritën jeshile për me punu. Më ka thanë se harta zonale kryhet për 35 ditë. Na kthen GIZ-i gjerman. Më ka thënë: “Ti nisja puno…, deri t’i bajsh, ta qojsh podrumin e këto, përfundon harta zonale dhe pajisesh me leje”.

Ai pretendon se komplet ndërtimi i objektit është me urdhër të komunës.

“Tash që ju ka dal naj problem tjetër e me mu hakmarrë këtë mënyrë. Unë e kam dëshminë me 46 minuta incizim. Është kryetari i komunës, 3 drejtorë të komunës, PO ashtu, edhe Majlinda, kryeinspektorja që e bani rrënimin,  ma ka dhënë dritën jeshile me punu”, ka deklaruar Aliu.

Më tej, ai thotë se Bedri Maqastena e din shumë mirë rastin në fjalë.

“I kam thënë drejtor “qeshtu qeshtu më kanë thënë”. E kam në incizim edhe Bedrin, që m’ka thënë që t’kanë than keq. I kam dëshminë dhe do të ballafaqohem në gjykatë me ta, kjo është e padrejtë”, u shpreh ai.

Më poshtë, sqarimi i drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Podujevës, Bedri Maqastena

Informate lidhur me rrënimin e objektit afarist pa leje ndërtimi ne fshatin Sekiraqe.

Ekzekutimi i vendimit për rrenim është kryer sipas procedurave te parapara konform ligjeve te aplikuara nga Inspektorati i Ndertimit lidhur me trajtimin e objekteve pa leje.

Nga vizita e inspekcionit te ndërtimit e bere me datën 17.03.2021 është konstatuar se objekti ne fjale nuk posedon leje ndërtimi dhe me procesverbalin e shënuar kemi urdhëruar palën te ndërpres punimet.

Edhe pas kësaj urdhërese pala nuk i është bindur inspekcionit dhe ka vazhduar me punime per te cilat punime inspekcioni i ndertimit ka leshuar disa gjoba te cilat prap nuk e kan bindur palen t’i nderpres punimet e objektit pa leje ndertimi. Inspekcioni i ndertimit eshte detyruar te ushtroj kallzim penal, me ç’rast gjykata ka nxjerr fajtor palen per ndertimin e objektit pa leje ndertimi.

Pas konsumimit te te gjitha procedurave paraprake te cilat jan zhvilluar per te ndalur ndertimin e objektit pa leje, Inspekcioni i ndertimit ka nxjerr vendim per rrenim me daten 13.08.2021 i cili po ekzekutohet sot.

Podujevë, 17.09.2021