“Trampolinë” futbolli në 10 vitet e fundit

Asnjë shtet nuk ka fituar nga transferimet e futbollistëve gjatë dekadës së fundit më shumë se sa Portugalia. Por vendlindja e superagjentit Horge Mendes ende ka shumë për të bërë që t’i shndërrojë fitimet e shkëlqyeshme në suksese në fushë. Sipas një raporti të FIFA-s klubet portugeze mburren me një bilanc pozitiv transferimi prej rreth 2.5 miliardë Eurosh.
Midis vitit 2011 dhe 2020 rreth 15% e transferimeve më të shtrenjta në botë erdhën nga liga portugeze, e cila këtë edicion ka tre ekipe në Ligën e Kampionëve, për herë të parë që nga viti 2017. Por Portugalia nuk ka pasur fitues që kur Porto triumfoi nën drejtimin e Zhose Mourinjos në vitin 2004.
Raporti i FIFA-s thotë se rruga nga Brazili në Portugali ishte më e ngarkuara në botë gjatë 10 viteve të fundit për lojtarët që transferohen mes klubeve, me 1550 lojtarë që zbarkojnë në Evropë nëpërmjet Portugalisë. Në qendër të gjithë kësaj janë agjentët portugezë. Mes vitit 2011 dhe 2020, agjentët portugezë fituan 320 milionë Euro nga transferimet, gjë që e vendos Portugalinë si vendi i katërt në botë për kostot e ndërmjetësimit