Partive politike u ndalohet me vendim të mbajnë fushatë nëpër shkolla

Subjektet Politike të Certifikuara për Zgjedhjet Lokale 2021 nuk duhet t’i mbajnë tubimet politike gjatë dhe pas orarit të punës, brenda hapësirës së ndërtesave të shkollave dhe të gjitha objektet tjera arsimore ku organizohet procesi mësimor.
Ky vendim është marrë nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci duke u mbështetur në nenin 8, 10 dhe 11 të Ligjit nr.06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura.
IndeksOnline ka siguruar vendimin e nxjerr nga MASHTI:

Ministrja e Arsimit , Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në mbështetje të nenit 8, 10 dhe 11 të Ligjit nr.06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, (Gazeta zyrtare nr.7/01 mars 2019), nenit 5 paragrafit 1.1 të Ligjit me Ligjit Nr.04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, nenit 4 paragrafit 4.1 të Rregullës Zgjedhore 13/2013, nenit 8 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 dhe shtojcës 1 paragrafit 7 të Rregullores (QRK) nr.02/2021 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive të dt.30 mars 2021, nxjerr:
VENDIM
Për ndalimin e organizimit dhe mbajtjes së tubimeve publike brenda hapësirës së ndërtesave të shkollave dhe të gjitha objektet tjera arsimore ku organizohet procesi mësimor
- Subjektet Politike të Certifikuara për Zgjedhjet Lokale 2021 nuk duhet t’i mbajnë tubimet politike gjatë dhe pas orarit të punës , brenda hapësirës së ndërtesave të shkollave dhe të gjitha objektet tjera arsimore ku organizohet procesi mësimor.
- Hapësirat e jashtme të objekteve të institucionit arsimor mund të përdoren nga Subjektet Politike të Certifikuara për Zgjedhjet Lokale 2021, vetëm nëse paraprakisht kanë leje për organizimin dhe mbajtjen e tubimeve politike nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe Policia e Republikës së Kosovës nëpër komunat përkatëse.
- Vendimi hyn në fuqi me nënshkrimin e tij.
Arsyetim
Duke u mbështetur në dispozitat e shënuara më lartë si dhe nevojën për të garantuar rikthim të sigurt në shkolla, zbatim të masave aniti-COVID, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.