11:23 / E Martë, 26 Tetor 2021 / B O

Fitoi 36 miliardë dollarë në një ditë, Elon Musk kritikon planin e Biden për të taksuar super miliarderët

SHBA – Elon Musk ka kritikuar planin e Presidentit Joe Biden për të taksuar të ardhurat e miliarderëve. Kritika vjen, ndërsa vlera e TESLA-s në treg shkoi në 1 trilion dollarë dhe pasuria personale e Elon Musk u rrit me një rekord prej 36 miliardë dollarësh në një ditë.

Musk është kritik ndaj idesë së demokratëve për një taksë të re miliarderësh për të ndihmuar në pagimin e shërbimeve sociale dhe planin e ndryshimit të klimës.

“Përfundimisht, atyre u mbarojnë paratë e njerëzve të tjerë dhe më pas vijnë për ju”, shkroi Musk në Twitter.

Në fillim të këtij viti, u zbulua se Musk dhe rivali i tij, Jeff Bezos, nuk kanë paguar në vitet e fundit asgjë në tatimin federal mbi të ardhurat. Pasuria e Musk u rrit rreth 13.9 miliardë dollarë midis 2014 dhe 2018.

Ai raportoi 1.52 miliardë dollarë të ardhura totale dhe pagoi 455 milion dollarë taksa.

Në vitin 2018, Musk nuk pagoi asnjë taksë federale mbi të ardhurat. Të dhënat tregojnë se ai pagoi 68,000 dollarë në 2015 dhe 65,000 dollarë në 2017.

Sipas planit të demokratëve, taksa e miliarderëve do të godiste më të pasurit e amerikanëve, më pak se 1000 njerëz.

Miliarderët përdorin një pjesë të madhe të parave të tyre për të blerë aksione, të cilat aktualisht tatohen vetëm kur shiten.

Plani i ri do të vendosë taksa vjetore për ato asete për ultra të pasurit, ndërsa ato janë ende në duart e pronarëve të tyre.

Njerëzit e pasur shpesh përdorin këto aksione të pataksuara aktualisht si kolateral për të marrë kredi – një manovër që u lejon atyre të paguajnë taksa më të ulëta.

Në përgjithësi, norma tatimore e miliarderëve nuk është vendosur, por pritet të jetë të paktën 20 për qind e fitimeve kapitale.

Demokratët kanë thënë se mund të mbledhin 200 miliardë dollarë të ardhura që mund të ndihmojnë në financimin e paketës së Biden për 10 vjet.

Tesla kalon vlerën prej një trilion dollarësh në treg

Pavarësisht shqetësimeve për pagimin e mundshëm të taksave, Musk kishte arsye për të festuar të hënën.

Hertz njoftoi të hënën se do të blejë 100,000 automjete elektrike nga Tesla, një nga blerjet më të mëdha të makinave me bateri në histori.

Marrëveshja e gjigantit të makinave me qira me Tesla thuhet të jetë 4.2 miliardë dollarë.

Lajmi i marrëveshjes shkaktoi një rritje të aksioneve të Tesla-s, duke e çuar vlerën e tregut të prodhuesit të makinave mbi 1 trilion dollarë për herë të parë.

Aksionet e Tesla u rritën me gati 13 për qind në Wall Street – duke shtuar 36 miliardë dollarë të tjerë në vlerën neto personale të Musk.

Që nga mëngjesi i së martës, pasuria e Musk vlerësohet në 289 miliardë dollarë, sipas Bloomberg. Ai është gati 100 miliardë dollarë më i pasur se njeriu i dytë më i pasur në botë – themeluesi i Amazon, Jeff Bezos.