75 Mall Live Search
21:03 / E Enjte, 28 Tetor 2021 / MSH

Xavi takon drejtuesit e Al Sadd, përgjigjet shkurt nëse do të marrë Barçën

Xavi Hernández është takuar me drejtuesit e klubit të tij Al Sadd, për t’ua bërë të ditur dëshirën e tij për të shkuar në Barcelonë.

Takimi, nga ajo që raportojnë mediet spanjolle, ka qenë pozitiv sepse klubi i Al Sadd është gatshëm ta lejojë largimin e Xavit, por kuptohet palët duhet të bien dakord për klauzolën e prishjes së kontratës aktuale të ish-mesfushorit të Barçës, shkruan SuperSport.

Vështirësitë kanë të bëjnë me kohën, pasi klubi katariot nuk dëshiron ta lërë të largohet para datës 3 nëntor. Kjo do të thotë se Xavi nuk mund të ulet në stol për ndeshjen kundër Dynamos së Kievit. 41-vjeçari do të mund t’i bashkohet Barçës pas pauzës së kampionatit, për shkak të ndeshjeve të fundit eliminatore të Botërorit.

Ndërkohë, Xavi mbajti një konferencë për shtyp para ndeshjes së radhës së Al Sadd, ku u pyet për mundësinë për të shkuar te Barcelona, ​​por ish-lojtari “blaugrana” iu shmang një përgjigjeje të drejtpërdrejtë.

“Jam shumë i fokusuar në punën time me Al Sadd dhe nuk dua të flas për asgjë tjetër”, ka thënë ai shkurt.